Oferta e selisë rozë synon të tërheqë ish-Kënetën (legalizimi), zonën rurale (tapitë, shitja e prodhimeve, ujitja-kullimi), peshkatarët, operatorët turistikë

DURRËS, 20 maj 2013 –E majta për Durrësin ofron fushatë me terminologji sportive, kjo nga fakti që “kapoja” i fushatës elektorale për qarkun bregdetar Blendi Klosi, ka qenë sportist, por dhe ministër që mbulonte edhe sportin në dikasterin e turizmit dhe kulturës.

Por, me sa duket, kjo është në vazhdën e paraqitjes së asaj që ish-basketbollisti Edi Rama e quajti “Skuadra Kombëtare për Rilindjen e Shqipërisë” në konventën zgjedhore të PS më 19 maj 2013.

Oferta e selisë rozë synon të tërheqë në qarkun Durrës-Krujë ish-Kënetën (legalizimi), zonën rurale (tapitë, shitja e prodhimeve, ujitja-kullimi), peshkatarët, operatorët turistikë.

Oferta

Blendi Klosi, sekretar organizativ i PS dhe “kapiteni” i ekipit përfaqësues të Durrës-Krujës, ka deklaruar në konventën zgjedhore:

“Do të përfundojmë procesin e legalizimit të banesave informale.

Do ta përfundojmë pajisjen e fshatarëve me certifikatën e pronësisë së tokës.

Do të ndërtojmë qendra të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtimit me shumicë të prodhimeve bujqësore e blegtorale.

Do të rehabilitojmë sistemin vaditës dhe kullues në fushat e Maminasit, Sukthit, Rromanatit, Arapajt, Hardhishtës, Bubqit e Thumanës.

Do ta ruajmë dhe rijetëzojmë trashëgiminë kulturore për ta vënë në shërbim të ofertës turistike gjithëvjetore dhe të integruar me ofertën turistike të gjithë hapësirës shqipfolëse.

Do të ngremë industrinë e detit, do të rimëkëmbim flotën e peshkimit dhe do të ndërtojmë merkata të peshkimit”.

Info

Blendi Klosi, i lindur në Tiranë më 17 janar 1971, është zgjedhur deputet për tri legjislatura radhazi.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 ai u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Durrësit.

Është diplomuar në fakultetin e inxhinierisë elektronike.

Pas studimeve ka punuar si inxhinier në Institutin e Studimeve Elektronike.

Pas përfshirjes së tij në politikë ka punuar fillimisht si përgjegjës sektori për politikat e zhvillimit të administratës qendrore në departamentin e administratës publike pranë Këshillit të Ministrave.

Ka shërbyer më pas si zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ministër shteti pranë Kryeministrit dhe si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Blendi Klosi është anëtar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit në Kuvendin e Shqipërisë.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/