Përpunimi i plehrave është një biznes, po kjo nuk do të thotë që qeveria të fusë plehra nga e gjithë bota. Durrësi shihet si një qytet ku klanet qeveritare përfitojnë ekonomikisht, e jo si një qytet që duhet të ketë prioritet zhvillimin e tij konform rregullave mjedisore e turistike. Në periferitë e Durrësit ka pllakosur varfëria, ndërkohë që shumë zona vazhdojnë të përballen me probleme të furnizimit me ujë të pijshëm.

Deputeti i PS-së, Blendi Klosi, e ka konsideruar një show mediatik iniciativën e Kryeministrit për mbrojtjen e mjedisit dhe pastrimin e çdo fshati, komune, qarku e rrethi nga plehrat. Sipas deputetit të Durrësit fushatat televizive nuk janë gjë tjetër veçse një fasadë për të mbuluar atë që ka ndodhur me mjedisin në Shqipëri dhe veçanërisht atë politikë të mbrapshtë që është ndjekur ndaj Durrësit, që rrezikon të kthehet në portën hyrëse të plehrave të Europës. Ndërsa thekson se klanet qeveritare po e përdorin Durrësin për t’u pasuruar ekonomikisht Klosi nënvizon se në periferitë e qytetit bregdetar shumë familje po bëjnë luftë për mbijetesë, pasi jetojnë me minimumin jetik. Pavarësisht faktit se është një qytet turistik, ai përmbytet sa herë bie shi dhe kjo sipas Klosit është tregues i mungesës së investimeve për rikonstruksionin e rrjetit të kanalizimeve. Më tej, deputeti socialist do të komentonte dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me qytetin bregdetar apo dhe aktualitetin politik dhe social.

Cili është komenti juaj në lidhje me iniciativën e kryeministrit për pastrimin e Komunave dhe Bashkive nga plehrat?

Unë mendoj se është thjesht një show politik që kërkon të fshehë atë politikë shkatërruese për mjedisin që ka ndjekur qeveria shqiptare. Pastrimi me fushata nuk është zgjidhje për problemet e mjedisit në Shqipëri, por një metodë e stilit të vjetër për të krijuar një tymnajë dhe për të tërhequr vëmendjen nga situata katastrofale mjedisore në vend.

Shikojeni se si janë kthyer qytetet dhe fshatrat tona për shkak të mungesës së politikave të drejta mjedisore. Lumenjtë po kthehen në transportues të plehrave, periferitë e qyteteve po pushtohen nga masivet e plehrave, tymi i lëshuar gjatë djegies së mbeturinave po ndot ajrin dhe gjithçka ka ndodhur para syve indiferent të shtetit.

Ujërat e zeza kanë pushtuar prej kohësh pika të rëndësishme turistike, përfshi dhe ato të Durrësit. Sheshi ku depozitohen mbeturinat urbane të Durrësit pak kilometra larg ish-ndërmarrjes kimike vazhdon të mbetet një vatër e nxehtë ndotjeje në Durrës. Mbledhja, transportimi dhe depozitimi i plehrave urbane bëhet në mënyrë aspak profesionale, duke rritur ndjeshëm nivelin e ndotjes.

Plehrat hidhen në një shesh të hapur pa iu nënshtruar asnjë lloj trajtimi, gjë që ndikon dhe në shëndetin publik të komunitetit. Sheshi ku depozitohen mbeturinat urbane, përfshirë këtu edhe ato spitalore ka arritur në 80 për qind të kapacitetit të vet.

Pjesa më e madhe e plehrave, pasi kontrollohen imtësisht nga të papunët e zonës së Porto Romanos që çdo ditë rrëmojnë në mbeturina për të gjetur material të riciklueshëm dhe objekte të tjera në gjendje të pranueshme për përdorim, i nënshtrohen djegies.

Në këtë prag sezoni edhe hidrovori i Porto Romanos, pavarësisht rolit të rëndësishëm që ka mbetet një tjetër ndotës i madh për shkak të amortizimit dhe mungesës së investimeve. Mos të harrojmë se projektet e qeverisë Berisha për të ndërtuar TEC-e apo centrale në veri të Durrësit do të provokonin pasoja katastrofike për këtë qytet.

Në një situatë të tillë qeveria shqiptare nuk është mjaftuar me kaq, por dëshiron që dhe plehrat e Europës t´i sjellë në Shqipëri. Nuk duhet të harrojmë se nëse vijnë këto plehra në Shqipëri, do të kalojnë pikërisht nga porti i Durrësit. Përpunimi i plehrave është një biznes, po kjo nuk do të thotë që qeveria të fusë plehra nga e gjithë bota.

Vendit i mungon mbi të gjitha një studim total në bashkëveprim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Mjedisit. Qeveria nuk ka përse të ngutet dhe të veprojë me kokëfortësi. Asnjë qeveri në botë nuk do të kishte dëshirë të pranonte plehrat e një vendi tjetër, e jo më vendi ynë.

Pse e shmangni nga përgjegjësia Bashkinë e Durrësit?

Bashkia e Durrësit është shprehur prej kohësh kundër importit të plehrave në Durrës, në një kohë që është nga bashkitë më të mira në vend përsa i përket pastrimit të qytetit. Me mundësitë që ka Bashkia e Durrësit ka bërë maksimumin.

Mos harrojmë se dhe fondet për këtë bashki po rrudhosen gjithnjë e më tepër nga kufizimet që qeveria shqiptare po i bën komunave dhe bashkive që drejtohen nga socialistët si dhe nga politikat bllokuese përsa i përket taksave lokale.

Bashkia e Durrësit ka treguar me punën që ka bërë se është në sinkron me interesat e qytetarëve edhe përsa i përket politikave mjedisore, gjë që u përkthye me votën e qytetarëve në zgjedhjet lokale. Projektet e Bashkisë së Durrësit po ja ndryshojnë imazhin qytetit antik.

Z. Klosi, a nuk është një lajm i mirë fakti që falë dy investimeve të qeverisë zona turistike do të ketë 16 orë furnizim me ujë dhe do të zgjidhet problemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha?

Do të ishte një lajm i mirë nëse kjo do të realizohet, por si thotë populli nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Shumë premtime bëhen, por nuk mbahen. Sot, zona të tëra në periferi të Durrësit kanë probleme serioze përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.

Banorët e Hamalles protestuan disa ditë më parë pikërisht për problemet e furnizimit me ujë. Dihet se si është gjendja e kanalizimeve për shkak të mungesës së investimeve nga qeveria. Qyteti përmbytet edhe nga shiu më i zakonshëm, por nuk është ky problemi më i madh. Problemi më i madh mbetet ai i varfërisë që ka pllakosur qytetin bregdetar në përgjithësi dhe zonën periferike në veçanti.

Nga të dhënat që kemi është rritur shumë numri i të papunëve dhe një pjesë e familjeve luftojnë për minimumin jetik. Mos të harrojmë se bëhet fjalë për një qytet turistik ku mundësitë e punësimit dhe të një jete më të mirë janë më të mëdha se në qytete të tjera.

Durrësi nga qeveria shikohet vetëm si një qytet për të përfituar ekonomikisht një pjesë e vogël klanesh qeveritare, e jo si qytet ku prioritet duhet të jetë zhvillimi i tij në standarte të shëndetshme mjedisore dhe turistike.