DURRES, 20 qershor 2013 – Deputeti Blendi Klosi ka zhvilluar një takim me banorët e lagjes "Lugina" të qytetit të Shijakut.

Në këtë takim deputeti Klosi shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Shijakut Indrit Buka i cili pasi ka përshëndetur banorët e kësaj zone ka deklaruar se Shijaku do të mbështesë fuqishëm PS-në, sepse vetëm duke votuar për PS-në do të rilindë Shijaku dhe e gjithë Shqipëria.

Gjatë këtij takimi, Buka deklaroi se të gjithë bashkë duhet të votojmë në 23 qershor për PS dhe numrin 29 për të ardhmen e Shijakut dhe të gjithë vendit dhe për tu shkëputur njëherë e mirë nga kjo qeveri që ka rrënuar shqiptarët.

Deputeti Blendi Klosi deklaroi se pas 23 qershorit Shqipëria do të marrë frymë lirisht pasi do të rimëkëmbet ekonomia dhe do të ulet ndjeshëm papunësia me hapjen e 300 mijë vendeve të punës nga qeveria socialiste. 

Sipas zëdhënësit të selisë rozë, Klosi deklaroi se tek programi i Rilindjes gjejnë zgjidhje problemet më të mprehta të shqiptarëve dhe vendi do të rilindë pas 23 qershorit kur fillon edhe koha e Edi Ramës.

Klosi shtoi se në 23 qershor vjen një epokë e re që është epoka e Edi Ramës dhe e Rilindjes së vendit dhe se vetëm me votën për Edi Ramën kryeministër dhe për programin e Rilindjes vendi do të rimëkëmbet dhe ekonomia do të rilindë.

Banorët e Shijakut me thirrjet e tyre entuziaste kanë shprehur bindjen në fitoren e thellë të së majtës në 23 qershor ditë në të cilën do të nisë edhe rilindja e vendit me qeverinë socialiste me Edi Ramën kryeministër.