Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shkarkuar prokurorin e Pogradecit Shkëlqim Kokona, me votë unanime.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë përfundoi hetimin disiplinor, i nisur pas një informacioni të Prokurorit të Përgjithshëm për shkelje procedurale gjatë veprimtarisë hetimore, përfaqësimit të ndjekjes penale në gjykim, si dhe për shkelje të normave etike nga ana e prokurorit Shkëlqim Kokona.
“Shkeljet disiplinore nga ana e magjistratit me eksperiencë prej 28 vitesh në punë janë kryer me dashje direkte, gjë që gjen pasqyrim në veprimet e tij, në të gjitha episodet e përshkruara në raportin e hetimit të ILD. Këto sjelljet e përsëritura të magjistratit përbëjnë rrethanë rënduese, në kushtet kur ndaj tij ishte marrë më parë një masë disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, pikërisht për shkelje të kryera gjatë përfaqësimit në gjykim të një çështje penale dhe për komunikimin me drejtuesin në shkelje të rregullave mbi etikën dhe sjelljen e prokurorëve”, thuhet në informacionin e KLP-së.