· I bënë “sevap” me paratë e shtetit shqiptar privatit gjerman të Terminalit Lindor për shpenzimet e riparimit të dy elektrovinçave
Nga Thanas Mustaqi
DURRËS, 14 qershor 2014 – Të kërkohet arkëtimi i vlerës 164 mijë euro brenda datës 31 tetor 2014 për transferimi, më 15 korrik 2013, i dy elektrovinçave 16-27.5 tonë në terminalin lindor, koncesion i kompanisë gjermane EMS Albanian Port Operator (EMS APO), me pronar z. Heiko Luikenga, por përfaqësuar nga z. Manfred Muller, pasi “është bërë me një diferencë nga shpenzimet e kryera për remontin e tyre”, është Kontrolli i Lartë i Shtetit që zhdëmtimin ta bëjnë 4 ish-drejtues të portit të Durrësit.
“Dyrrah”-u boton (me ndonjë shkurtim të parëndësishëm) një fragment nga auditimi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në Autoritetin Portual Durrës (APD), ku mes të tjerave janë analizuar dhe dy tenderë: kryerja e remontit të përgjithshëm të dy elektrovinçave 16-27,5 tonë dhe blerje pjesë këmbimi elektrike, elektronike për elektrovinça 16-27 tonë”, ku “kualifikimi, shpallja fitues e bashkimit të operatorëve nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, si dhe lidhja e kontratës janë kryer në mënyrë të padrejtë”.
Bie në sy fakti që drejtoria e përgjithshme ekzekutive e shoqërisë publike / shterore APD sha i ka bërë “sevap” koncesionarit privat gjerman të Terminalit Lindor me paratë e buxhetit të shtetit shqiptar.
Fjala është për transferimin e dy elektrovinçave 16-27.5 tonë, sipas marrëveshjes së transferimit të mjeteve të terminalit lindor me nr. prot. 1833, datë 15.7.2013, që është bërë me një diferencë nga shpenzimet e kryera për remontin e tyre në vlerën 22 800 000 lekë (164 mijë euro, kursi 1 euro me139 lekë).
Kjo është arsyeja pse KLSH-ja i të detyrë administratës së sotme të APD sha të kërkojë në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative, si edhe të gjitha shkallët e gjykimit, arkëtimin e vlerës 22, 8 milionë lekë brenda 31 tetorit 2014, nga 4 ish-drejtues (Eduard Ndreu, Mehmet Borshi, Halisa Duro dhe Erneta Kulla).
Dokumenti / Nga Raport për auditimin e ushtruar Autoritetin Portual Durrës, Tiranë, maj 2014
Në tenderët e zhvilluar me objekt “Kryerja e remontit të përgjithshëm të dy elektrovinçave 16-27,5 tonë” dhe “Blerje pjesë këmbimi elektrike, elektronike për elektrovinça 16-27 tonë”, kualifikimi, shpallja fitues e bashkimit të operatorëve “3A-Profile, Borjan 3 dhe Atlantik” nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, si dhe lidhja e kontratës është kryer në mënyrë të padrejtë…
Për llogaritjen e vlerës së prokurimit nuk është hartuar projekti teknik i zbatimit, edhe pse është planifikuar në plan-biznesin e vitit 2011 në vlerën 4 200 000 lekë, mungesa e një projekti të tillë ka sjellë si pasojë anomali për remontin e dy vinçave 16-27 tonë, duke amenduar kontratën, veprime të cilat jo vetëm kanë shkelur barazinë në tender, por kanë krijuar një efekt financiar për llogari të APD-së në vlerën 57 583 250 lekë.
Nuk janë zbatuar termat e referencës nga bashkimi i operatorëve “3A-Profile, Borjan 3 dhe Atlantik” për të përgatitur një plan të detajuar të remontit, para se të fillonte remonti i vinçave, i cili duhej të miratohej nga departamenti teknik i Autoritetit Portual Durrës.
Zbatimi i kontratës është kryer vetëm nga shoqëria “3A-Profile”, ashtu siç është nënshkruar në kontratën e bashkëpunimit, shoqëri e cila nuk ka kapacitetin profesional për ta kryer këtë shërbim…
janë kryer tre mendime të kontratës në kundërshtim me shtojcën nr. 2 të dokumenteve të tenderit, formularin e çmimit të ofertës, ofertën teknike, termat e referencës, projektin elektrik, si dhe me kontratën e prokurimit të lidhur më 14.7.2011, me nr. 1771 me objekt “Kryerja e riparimit të përgjithshëm të dy elektrovinçave 16-27,5 tonë”, mendime të cilat kanë shkelur barazinë në tender…
Mbikëqyrja është kryer nga inxhinieri mekanik Gëzim Shtini, i cili nuk ka kompetencën profesionale për punimet elektronike të kryera për remontin që zënë vlerën 29 524 800 lekë dhe për punimet elektrike të kryera për remontin që zënë vlerën 18 013 920 lekë, pra punimet në vlerën 47 538 720 lekë janë kryer pa mbikëqyrës të fushës përkatëse.
Transferimi i dy elektrovinçave 16-27.5 tonë te EMS Albanian Port Operator (EMS APO), përfaqësuar nga Manfred Muller, sipas marrëveshjes së transferimit të mjeteve të terminalit lindor me nr. prot. 1833, datë 15.7.2013, është bërë me një diferencë nga shpenzimet e kryera për remontin e tyre në vlerën 22 800 000 lekë. Kjo vlerë ka të bëjë me ngarkimin, shkarkimin dhe transportimin e pjesëve të elektrovinçave, e cila nuk është bërë pjesë e kostos së remontit të vinçave, veprim në kundërshtim me Ligjin nr. 9228, datë 19.4.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, SKK dhe udhëzimin e Ministrisë së Financave nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin dhe kontrollin financiar”, vlerë e cila përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. Për dëmin ekonomik dhe shkeljen e barazisë në tender mbajnë përgjegjësi z. Eduard Ndreu me detyrë ish-drejtor i përgjithshëm ekzekutiv për periudhën 29.10.2005-8.10.2013, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktues; z. Mehmet Borshi me detyrë drejtor i drejtorisë inxhinierike për periudhën 15.2.2007-8.1.2014; znj. Halisa Duro me detyrë drejtore e drejtorisë juridike për periudhën 1.8.2007-13.1.2014; znj. Erneta Kulla me detyrë drejtore e drejtorisë së administrimit financiar për periudhën 23.22009-16.12.2013, të cilët duhet të dëmshpërblejnë vlerën 22 800 000 lekë, mbështetur në nenet 31 dhe 32 “të Ligjit nr. 7850 datë 29.07.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar (Përgjegjësia e personit juridik”).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/






