TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka konstatuar një sërë shkeljesh me pasoja të rënda gjatë kontrollit në Bashkinë e Pogradecit. 

Bazuar në këto shkelje Kontrolli i Lartë i Shtetit inicioi kallëzimin penal për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike për Kryetarin aktual të Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi si dhe dy nënkryetarët dhe tre drejtues të tjerë të kësaj bashkie.

Auditimi i zhvilluar në këtë bashki, evidentoi se në zonën e qendrës së qytetit janë dhënë një sërë lejesh sheshi dhe ndërtimi në mungesë të Planit të Përgjithshëm Rregullues dhe të Studimit Urbanistik Pjesor të qendrës së qytetit të miratuar në KRRTRSH, veprime këto të kryera në kundërshtim me disa ligje. Gjithashtu auditimi evidentoi se nga KRRT e Bashkisë Pogradec, janë miratuar një sërë Studime Urbanistike Pjesore dhe leje ndërtimi në shkelje të kondicioneve urbanistike në kundërshtim të hapur me ligjet.

Nga auditimi i procedurave të e prokurimit në këtë bashki, janë konstatuar veprime të kundraligjshme që kanë sjellë dëme të konsiderueshme në lekë. Ato kanë të bëjnë me shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike, sqaron KLSH. Gjithashtu, nga auditimi kanë rezultuar një sërë veprime të kundraligjshme në lidhje me nënshkrimin e kontratave të qerasë për ambiente në interes të institucioneve të treta në dëm të interesave të institucionit dhe në kushtet e konfliktit të hapur të interesit. Në total nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si pasojë e veprimeve të mësipërme penale dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit financiar dhe atij që ka të bëjë me zbatimin e kontratave për punë publike dhe taksat në fushën e urbanistikes, është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 46,411,128 lekë. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit pas kontrollit në Bashkinë e Sarandës ka konstatuar një sërë shkeljesh, prandaj KLSH ka iniciuar kallëzim penal për: P.G. në cilësinë e ish-Drejtorit të Drejtorisë së Urbanistikës dhe njëkohësisht të ish-Sekretarit të KRT-së si dhe vartësve të tij.