Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ish drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës, Agron Taren dhe gjashtë punonjës të tij.

Sipas njoftimit të postuar në faqen zyrtare, mësohet se Tare dhe punonjësit e tij akuzohen për veprime në kundërshtim me ligjin si dhe keqpërdorim të fondeve publike.

KLSH njofton se ka ushtruar auditim përputhshmërie dhe rregullshmërie në subjektin Autoriteti Portual Durrës për periudhën 01.07.2018-31.12.2020 dhe konkretisht ka konstatuar një sërë shkeljesh nga ish-drejtori i Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, përgjegjësi i Prokurimeve, dy përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialistë.

Në këtë mënyrë KLSH njofton se lidhur me këto shkelje ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzimin penal që i atribuohet shtatë funksionarëve të Autoritetit Portual Durrës për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga neni 258 dhe 248 i Kodit Penal.

Njoftim:

Tiranë, më 26.01.2022

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar të organeve të pushtetit qendror dhe vendor, ka ushtruar  auditim përputhshmërie dhe rregullshmërie në subjektin Autoriteti Portual Durrës (APD) për periudhën e veprimtarisë 01.07.2018- 31.12.2020.

Konkretisht nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence”, me objekt “Libri i tarifave” janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Përgjegjësi i Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialistë.

Veprimet e ish Titullarit të APD dhe punonjësve të tij janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, si dhe rregullat e prokurimit publik, duke sjellë për pasojë keqpërdorim të fondeve publike.

Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzimin penal që i atribuohet shtatë funksionarëve të Autoritetit Portual Durrës për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga neni 258 dhe 248 i Kodit Penal.