Ata janë të parët shqiptarë të Kosovës që synojnë të shkelin në majën më të lartë të planetit. Klubi Alpin Prishtina ka nisur përgatitjet për të pushtuar Everestin në fillimin e vitit 2017. Vendimin e bën të ditur vetë grupi që thekson se kanë nisur përgatitjet për rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë drejt malit më të lartë të botës.
“Ekspedita është organizim i Klubit Alpin Prishtina dhe përbëhet nga katër Alpinistë, të cilët i kanë filluar përgatitjet paraprake, ku hyjnë edhe ngjitjet e ardhshme alpine brenda vitit 2016, e që përfshihen brenda programit të trajnimit. Ekspedita do t’i kushtohet Nënës Terezë dhe shtetit të ri të Kosovës dhe për këtë kemi marrë mbështetje e fuqishme edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nga Institucionet tjera të vendit, si dhe nga subjekte të rëndësishme të Diasporës Shqiptare”, theksohet në kominukatën e publikuar në Facebook.
Ndër të tjera, Klubi Alpin Prishtina bën me dije se flamuri i Kosovës do të valëvitet në lartësinë e 8848 metrave por fillimisht grupi i alpinistëve duhet të kalojë me sukses testet dhe më pas të nisë misionin për të ngjitur Everestin. /supersport/