Këto janë shtyllat kryesore që Rotary Club ka pasur si udhëzues në punën e tij dhe pikërisht mbi këto parime do të fokusohet puna e 23 rotarianëve të rinj të Durrësit. Mbrëmja e së martës ishte një ditë e shënuar për Klubin Rotarian Durrës, pasi iniciativave të ndërmarra ndër vite nga 33 anëtarët e vjetër do t’i bashkohen tashmë edhe më të rinjtë. Por çfarë i shtyu ata t’i bashkohen këtij klubi që parim kryesor të veprimtarisë së tij ka ndihmën ndaj kategorive në nevojë?
“Unë Rotary Club e kamë ndjekur në distancë, sepse kam disa miq që pjesë e tij. Më tërheq aktiviteti i tyre, janë njerëz të spikatur, në nivel profesional dhe me vlera qytetare. E shoh si një grup, i cili nëpërmjet network-ut, ideve, financimeve, lobimeve do të ndihmojë për një shoqëri më të mirë”,– deklaroi arkitekt Indrit Hamiti.
“E kam ndjekur veprimtarinë e Rotary Club në rrjete sociale gjithnjë, por kam edhe miq të përbashkët që janë anëtarë të vjetër, me eksperiencë në këtë klub. Kam parë që qëllimi i këtij grupi është angazhimi për të punuar të gjithë së bashku për të bërë jetën e komuniteteve akoma më të mirë. Ky është një qëllim dhe pasion që e kam edhe unë”,- tha drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Etleva Budini.
Emrave të mirënjohur të këtij klubi ndër vite tashmë iu shtuan anëtarët më të rinj, figura të nderuara dhe personalitete të spikatura në profesionin e tyre. Arkitekti Indrit Hamiti, historiani Dorian Hatibi, noterja Entela Filo, mjekja Majlinda Kallço, operatorja turistike Arjana Isaku, dy drejtuesit e dy institucioneve publike Etleva Budini dhe Spartak Kovaçi, mjeku Redi Hoti, skulptori Helidon Xhixha janë vetëm disa nga shumë emra të tjerë që mbrëmjen e djeshme u zotuan se do të çojnë përpara veprimtarinë e këtij klubi që në më shumë se 2 dekada aktivitet numëron me dhjetëra nisma.
Por kjo nuk ishte arritja e vetme e së martës së 19 prillit. Tashmë klubet rotariane në Shqipëri dhe Kosovë mund të krijojnë distriktin e tyre, sepse numri total i anëtarësisë e ka kaluar 1100 persona. Një arritje mjaft e rëndësishme për të cilën na rrëfen më shumë presidenti i Klubit, Adil Beqiraj.
“Ne kemi fatin që e bashkuam kombin përpara sesa ta bëjë qeverisja, politika etj. Tani do të jemi nën një flamur, nën flamurin Rotary të distriktit Shqipëri-Kosovë”,- tha Beqiraj për “DurrësLajm”.
Pranisë shumë vjeçare të Beqirajt në këtë klub tashmë iu shtua edhe gjysma e tij më e mirë, bashkëshortja Nina, një sipërmarrëse e suksesshme në Durrës, ndërkohë që anëtarësimi i saj vjen në një ditë të veçantë për çiftin, që mbrëmë festonte 40 vite fejesë.
Gjatë mbrëmjes u bë edhe një ekspoze e shkurtër e të gjithë aktivitetit të Klubit Rotarian Durrës ndër vite.
Rotarianët e rinj
Majlinda Beqiraj
Julian Berxulli
Etleva Budini
Genc Feri
Entela Filo
Manjola Gjata
Ilva Gjuzi
Indrit Hamiti
Dorian Hatibi
Vegim Hoti
Redi Hoti
Florian Hoxha
Ariana Isaku
Alban Isteri
Majlinda Kallço
Spartak Kovaçi
Oltion Myshketa
Antoneta Ndreka
Viola Petani
Ardian Reçi
Gent Salillari
Engjellushe Shiroka
Helidon Xhixha
M.B.





