Një ditë ndryshe nga të tjerat ka qenë kjo e sotmja për pensionistët e Shtëpisë së të Moshuarve “Sefer Dervishi” në Kavajë.

Ata kanë udhëtuar drejt Durrësit këtë të mërkurë për t’iu gëzuar një dreke të shtruar për ta në një nga restorantet buzë detit nga Klubi Rotarian i qytetit bregdetar.

Moti i mirë dhe atmosfera e ngrohtë dhe mikpritëse në restorantin “2 Kitarrat Steakhouse” u kanë falur të moshuarve momente që do t’i kujtojnë gjatë.

Dreka festive u shoqërua me muzikë live, të cilës iu bashkuan shumë nga të moshuarit e pranishëm, që pavarësisht moshës së thyer nuk nguruan t’ia merrnin valleve të ndryshme, nga trevat nga të cilat ata vijnë.

Nuk munguan edhe dhuratat për ta. Klubi Rotarian Durrës u kishte përgatitur nga një pako dhuratë me produkte të firmave “Teuta”, “Lufra” dhe “Beba Biochem”.

Në Shtëpinë e të Moshuarve “Sefer Dervishi” në Kavajë jetojnë 61 të moshuar nga qytete të ndryshme të vendit tonë.

Pavarësisht se disa prej tyre janë braktisur nga të afërmit, ata kanë krijuar në azil plot miqësi të reja që u vijnë në ndihmë për të kaluar vështirësitë e moshës dhe mallin për familjen.

Ish-presidenti amerikan Abraham Linkoln deklaronte dy shekuj më parë se zhvillimi i një kombi duket nga kopshtet dhe shtëpitë e të moshuarve.

Për këtë arsye, vëmendja e strukturave shtetërore dhe jo vetëm në drejtim të të moshuarve që jetojnë në azile duhet të jetë e vazhdueshme për t’u falur gjatë ditëve të pleqërisë plot momente të gëzueshme.