Anëtarët e Klubit të Rotarianëve të Durrësit, kanë gëzuar ditën e sotme fëmijët që mësojnë në Qendrën Rezidenciale të qytetit, pasi që sot e tutje, do të zhvillojnë mësim në kushte më të ngrohta.

Me kontribut të të gjithë ekipit, u dhuruan disa pajisje ngrohëse nga ana e Klubit Rotarian.

Edmond Basho, presidenti i Klubit të Rotarianëve të Durrësit, thotë për “DurrësLajm”, se pas një takimi që patën zhvilluar disa ditë më parë me drejtorin e Qendrës së Zhvillimit Rezidencial, u shpreh nevoja për disa ngrohëse të klasave ku mësojnë fëmijët.

Kështu, anëtarët e klubit u mblodhën e nxorën një fond buxhet, me anë të të cilit bënë të mundur blerjen e këtyre ngrohëseve, të cilat i sollën këtë të premte në qendër.

Klubi i Durrësit, gjatë gjithë ekzistencës së tij, ka bërë donacione të ndryshme në gjithë zonën e Durrësit dhe qendra rezidenciale të ndryshme, ku është parë e nevojshme për të kryer donacione për fëmijë dhe shtresa të ndryshme shoqërore.

Çfarë është Klubi Rotarian

Rotary Internacional është një organizatë e themeluar në Chicago në vitin 1905 nga Paul Harris, me një numër të vogël personash, prej rreth 30 vetash. Në ditët e sotme në të gjithë botën janë rreth 33 mijë klube, me mbi 1.2 milionë anëtarë. Një organizatë me njerëz të përkushtuar, ndaj të gjitha shtresave shoqërore me probleme në të gjitha fushat e jetës. Ka pasqyruar me mijëra projekte që kanë ardhur në nevojat e shumta të komunitetit në mbarë globin. Përpjekjet e rotarianëve për luftën kundër Polio Plus-it (sëmundja e Poliomelitit) në vendet e varfra apo në Botën e Tretë kanë qenë të jashtëzakonshme duke shpëtuar jetën e mijëra fëmijëve.

Krijimi i klubeve rotariane në Shqipëri është një arritje tejet e suksesshme e promovimit të jetës sociale, që i japin shërbim komunitetit shqiptar. Sot në Shqipëri janë 10 klube rotariane, duke filluar nga Klubi i parë Rotarian në vitin 1992, duke pasur me Durrësin në vitin 2001, Korçën në 2002-shin, e më tej me Elbasanin, Tirana West-in, Gjirokastrën, Pogradecin, Beratin, Shkodrën dhe Vlorën në 2015-n. 

Anëtarët rotarianë duhet të punojnë me pasion e energji për të bërë projektet realitet. Duhet të promovojnë paqe, të luftojnë sëmundjet, të dhurojnë ujë të pijshëm, pastërti, higjienë, të ndihmojnë në rritjen ekonomike të komunitetit.