Pas deklaratave të modeles Kate Moss, e cila tregoi se si vuajti një ezaurim nervor në vitet e saj të adoleshencës pasi u detyrua të pozonte “top-less”, një tjetër divë e sfilatave, Heidi Klum, këshilloi kundër ekspozimit të trupit.

Vetë Klum, nisi rrugën e saj të famës dhe të shndërrimit në një supermodele duke pozuar e zhveshur për “Sports Illustrated” dhe revistën “GQ”.

Megjithatë, 39-vjeçarja beson se pati fat në rininë e saj që mësoi linjën e “hollë” që ndan një foto me shije nga një skandaloze dhe këshilloi që të gjitha vajzat që aspirojnë famën, të tregohen të forta dhe të refuzojnë kalimin e kufijve që i kanë vendosur vetvetes.

“Kur ke një trup të mirë, fotografët do të inkurajojnë shpesh që të zhvishesh sa më shumë. Nëse i nënshtrohesh presionit, shpejt e sheh veten pa asnjë rrobë në trup”, deklaroi Klum.

“Është e rëndësishme të tregohesh e kujdesshme dhe të thuash jo, sidomos kur je në një moshë të re dhe nuk ke ende një karrierë. Jo kushdo ka interesin tënd më të mirë në zemër”, shtoi supermodelja.

Megjithatë, ajo që Klum harroi të përmendte është fakti se falë linjave që i ka dhuruar natyra dhe vendimit të saj për të ekspozuar format e trupit, ajo është bërë modelja e dytë më e paguar e të gjitha kohërave, pas Gisele Bundchen.

Sipas revistës “Forbes”, vetëm gjatë vitit të fundit, bukuroshja gjermane rriti pasurinë e saj me 20 milionë dollarë.