Notari durrsak realizon një paraqitje shumë dinjitoze duke ringjallur shpresat për zhvillimin e sportit të notit
Lajme të gëzueshme vijnë nga ekipi i notit i Teutës, që drejtohet nga mjeshtri i njohur i ujit Agron Ismailati. Trajneri Ismailati nuk tutet lehtë dhe euforia nuk është pjesë e punës së tij. Por në rastin e Kneo Laçit ai çfaq dukshëm optimizmin, pasi sipas Ismailatit,- “kemi të bëjmë me një notar që nga viti në vit shënon vetëm rritje”. Progresi i Kneo Laçit është shprehje e punës pasionante të vetë notarit, por edhe i aplikimit të profesionalizimit të shkollës durrsake të notit, që aq me dinjitet dhe personalitet përfaqësohet nga Agron Ismailati. Në ditët e para të qershorit, një grup notarësh të Teutës i përbërë nga Kneo Laçi, Johan Dhimgjini, Johan Ceka dhe Gent Isaku ndodheshin në Kroaci. Në Dubrovnik, qytetin port të këtij shteti, prej vitesh, organizohet turneu i hapur, që njihet edhe nga INA (Federata Ndërkombëtare e Notit) me emrin “Golden Orlando”.
Në këtë veprimtari pikante ndërkombëtare krahas notarëve durrsakë nga Shqipëria, morën pjesë edhe notarë nga Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Kosova. Kneo Laçi i datëlindjes 1995 garoi në 50 dhe 100 m stil bretkocë. Më parë notari i Teutës zhvilloi garën në distancën 50 m bretkocë. Në renditjen e 30 notarëve pjesëmarrës Kneo Laçi u rendit në vendin e tretë me kohën 34”07, duke merituar medaljen e bronzit. Me mjaft interes u prit në kampin durrsak garimi i Laçit në 100 m bretkocë. Ndër 24 konkurentët e grupit A, Kneo Laçi, pas një rivaliteti emocionues me dy notarë kroatë dhe një slloven, arriti të klasifikohet në vendin e dytë. Medalja e argjendë është arritje shumë e ndjeshme në karrierën e këtij notari. Koha e regjistruar: 1’16”2. “Kneo,- komenton Ismailati,- është notar i talentuar dhe në çdo garë përmirëson rezultatet e tij. Është mësuar ta matë veten me arritjet dhe nuk kënaqet thjesht me vendin e parë. Rezultatet e arritura në Golden Orlando, janë nga më të mirat dhe japin shpresa për paraqitje edhe më cilësore në garimet e ardhshme. Me Kneo Laçin, notin durrsak ka të drejtë të krenohet dhe unë si trajner të korr frytet e një punë të gjatë dhe të lodhshme”.