Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, priti sot raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, z. Knut Fleckenstein.

Ky takim u çel me një fjalë përshëndetëse nga rektorja e universitetit znj. Kseanela Sotirofski, e cila theksoi në fjalën e saj se ky terren bashkëbisedimi, ka fokus kryesor sot studentët.

Z. Fleckeinstein përshendeti studentët duke përçuar mesazhin se “ideja e Bashkimit Evropian bëhet një realitet vetëm nëse ne të gjithë së bashku e konceptojmë dhe  perceptojmë atë si Evropa e të gjithëve ne”.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike i drejtuan eurodeputetit një sërë pyetjesh mbi integrimin e Shqipërisë në BE.

Takimi u moderua nga koordinatorja lokale e BE-së për qarkun e Durrësit, znj. Pranvera Gagani. Studentët e Departamentit të Drejtësisë, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, shprehën kënaqësinë e dyfishtë për këtë aktivitet, pasi takuan nga afër njërin prej përfaqësuesve nga Parlamenti i BE-së, institucion të cilin e kanë simuluar në janar të 2018-s.

Në përfundim të takimit, studentët i dorëzuan simbolikisht z. Fleckeinstein deklaratën e Perspektivës Evropiane, e cila është vendosur si shtylla prioritare e aktivizmit të tyre në Klubin e Juristëve të Rinj në UAMD.