TIRANE, 11 prill 2013– Lëvizja Socialiste për Integrim po vijon të lirojë postet politike që mbante në qeveri dhe në administratën publike pasi vendosi të krijojë koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste.

Si pasojë e koalicionit PS-LSI ka dhënë sot dorëheqjen nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Petrit Vasili.

Mësohet se Vasili ka informuar kreun e bashkisë, Lulzim Basha përmes një letre, në të cilin jepte argumentet për largimin e tij nga detyra që mbante.

“Angazhimi elektoral është motivacioni për vendimin tim për dorëheqjen si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës” është shprehur Vasili.

Ndërkohë, në vazhdën e largimeve,  më herët, kanë paraqitur dorëheqjen drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës në Vlorë, Kasem Cenaj.

Ndërkohë LSI në total ka marrë nga koalicioni me PD-në drejtimin e rreth 33 posteve të rëndësishme.