Filmi “Dear Basketball” (I dashur basketboll) që është frymëzuar nga letra e lamtumirës së basketbollistit Kobe Bryant ka fituar çmimin Oskar në kategorinë e filmave vizatimorë me metrazh të shkurtër.

Një kategori që në përgjithësi nuk ngjall shumë interes, por fakti se filmi frymëzohet nga letra e një kampionit të sportit si Kobe Bryant, 5 herë kampion në NBA me Lakers, bëri që të gjithë të përshëndesnin këtë triumf të legjendës së basketbollit amerikan.

Një triumf prej gladiatori për Bryant, që nuk do t’ia dilte mbanë nëse nuk do të kishte bashkëpunuar me Glen Keane, që realizoi këtë kryevepër, një mbret i filmave vizatimirë (Bukuroshja e Bisha, Sirena e Vogël, Aladin, Tarzan, Pokahontas).

“Falënderoj Kobe që shkroi këtë letër, një mesazh frymëzues jo vetëm për sportin por për të gjithë ne. Falë kësaj letre edhe e pamundura u bë e mundur”, tha Keane.

I lumtur edhe Kobe Bryant, i emocionuar kur u ngjit në skenë për të tërhequr trofeun: “Shyqyr që ne basketbollistët jemi të aftë të bëjmë edhe gjëra të tjera veç basketbollit. Falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij filmi vizatimor. Ju dua të gjithëve, jeni frymëzimi im”, tha Bryant në deklaratën gjatë ceremonisë së dorëzimit së çmimit Oskar.