Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se 65 mjekë të rinj kanë nisur kontratën 3-vjeçare të punës me MSHMS për të dhënë kontributin e tyre profesional, ndërsa kjo ministri vazhdon mbështetjen për të fuqizuar sistemin shëndetësor publik me profesionistë të rinj.
Ardita, Ajgena, Pavlina, Zana, Sonila, Ausilja dhe Adenisa janë mjeket e reja që, pasi përfunduan specializimin si kuotë e mbuluar, tashmë janë punësuar dhe shërbejnë në Spitalin Rajonal të Vlorës.
“Këtë vit, 65 mjekë të rinj kanë nisur kontratën 3-vjeçare të punës me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa 229 mjekë specialistë janë duke e vijuar këtë kontratë.
Këta mjekë të rinj janë dëshmia më e mirë e investimit tonë për një sistem shëndetësor publik që rrit cilësinë e shërbimeve, duke sjellë afër qytetarëve kujdesin shëndetësor nga profesionistë të dedikuar dhe të mirëformuar”, u shpreh Koçiu në postimin në rrjetet sociale.
“Unë jam Ardita Goxhalli, jam emëruar si pneumologe në Spitalin Rajonal të Vlorës. Ndjehem falënderuese që për tre vitet e ardhshme do e ushtrojë profesionin tim pranë një stafi mikpritës, profesional dhe të përkushtuar ndaj kujdesit për pacientët”, tha ajo.
“Unë jam Pavlina Mikli dhe vij nga qyteti i Dibrës. Jam emëruar si mjeke gjinekologe, por do të jap kontributin tim jo vetëm në spitalin ku jam emëruar, por në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh një tjetër mjeke e emëruar pranë spitalit rajonal të Vlorës.
Punësimi i mjekëve specialistë ka rikthyer e forcuar shërbimin për shumë specialitete, duke garantuar kujdes shëndetësor cilësor për çdo qytetar dhe pacient, afër vendbanimit të tyre.