Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka dhënë lajmin e mirë sot se për herë të parë pranë Spitalit Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni” ka ardhur në jetë fëmija i parë me procedurën e fertilizimit invitro falas.
“Mirë se erdhe në jetë, Soreja!
Sot është një ditë e veçantë, jo vetëm për prindërit e tu, Eridën dhe Xhemalin, por edhe për të gjithë ne që besojmë në mrekullitë e jetës. Pas një rruge të gjatë plot shpresë dhe përpjekje, ëndrra e tyre për të të mbajtur në krahë u bë realitet falë përkushtimit të ekipit të jashtëzakonshëm të Maternitetit “Koço Gliozheni” dhe procedurës së fertilizimit in vitro (FIV).
Erida dhe Xhemali, si shumë çifte të tjera, luftuan me gjithë forcën e zemrës për të përjetuar këtë ndjesi të papërshkrueshme.Kjo ditë është gjithashtu një moment krenarie për sistemin tonë shëndetësor publik, që përmes investimeve si Qendra e Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar, ka bërë të mundur që shumë familje të realizojnë ëndrrën e tyre për të pasur një fëmijë.
Materniteti “Koço Gliozheni” hapi siparin e kësaj procedure dhe me buxhetin e vitit 2025, do të nisë investimi që edhe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” të ofrohet paketa e fertilitetit falas për të gjitha çiftet që dëshirojnë të kenë një fëmijë.
Ne do të vazhdojmë të investojmë për kujdesin ndaj familjeve dhe grave, duke mbështetur çdo hap që çon drejt mrekullive të tilla.
Soreja, na e mbushe zemrën me gëzim! “, shkruan ministrja Koçiu.