Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu kreu Kontrollin Bazë Mjekësor në Poliklinikën numër 9 në kryeqytet dhe zhvilloi një bashkëbisedim me stafin mjekësor mbi rëndësinë e këtij Programi për qytetarët, por edhe për vetë mjekët e familjes të cilët mund të mbajnë nën kontroll dhe parandalojnë në kohë problematika të ndryshme shëndetësore.

“Tani dolëm nga tetori rozë dhe biem dakord të gjithë që nuk duhet ta mbajmë vëmendjen dhe ndërgjegjësimin vetëm gjatë tetorit rozë por duhet ta shtrijmë çdo muaj. Dhe Kontrolli Mjekësor Bazë është një nga ato programet i cili ka në thelb shëndetin e popullatës për të diagnostikuar hershëm çdo lloj problematike dhe shqetësimi”, u shpreh ministrja Koçiu.

Mjeku i kësaj Poliklinike informoi se pas kryerjes së Kontrollit Bazë Mjekësor, veçanërisht te popullata e re, nga mosha 40 deri në 50 janë shfaqur problematika të diabetit.

“Unë dhe kolegët themi gjithmonë, është më mirë të kontrollohesh kur nuk ke shqetësime dhe është më mirë të dish që në një kohë të dytë të parandalosh një sëmundje, patologjie që mund të jetë problematike”, u shpreh mjeku Artan Bitri.