Qendrat shëndetësore verore në të gjithë vendin po bëhen gati për të ofruar shërbime të kujdesit shëndetësor 24/7 për turistët vendas dhe të huaj.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi nga afër qendrat shëndetësore verore në Malin e Robit dhe Divjakë.
“Janë 34 qendra shëndetësore në zonat turistike bregdetare dhe malore, të cilat do të jenë në gatishmëri të plotë me një staf të trajnuar”, thekson ajo.
Ministrja Koçiu nënvizon se “paralelisht po vijojmë edhe me zbatimin e një sërë masash sipas një plani të mirëdetajuar për të mirëpritur fluksin e turistëve gjatë këtij sezoni veror”.
Qendrat shëndetësore do të hapen nga 1 qershori deri në 30 shtator dhe do të jenë të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil.
Në veri të vendit do të funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera.
Urgjenca do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike.
Ndërsa për herë të parë do të shërbejnë në këtë sezon motoambulancat.
MSHMS ka nisur punën edhe për rekrutimin e stafit mjekësor dhe gjithë kapaciteteve shtesë, që do të jenë në dispozicion të pushuesve 24/7.
Janë 200 pozicione pune për personel mjekësor dhe staf mbështetës të hapura nga MSHMS.