Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot gjatë konferencës rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, se sot në vendin tonë mbështeten me skema direkte financiare rreth 62 mijë fëmijë dhe 16 mijë me aftësi speciale.

“Në Shqipëri 62 mijë fëmijë mbështeten sot direkt nga skema e ndihmës ekonomike, sepse janë anëtarë të familjeve në ndihmë ekonomike. Rreth 16 mijë fëmijë me aftësi speciale dhe 400 fëmijë të tjerë marrin sot përkujdesje në shtëpitë e fëmijës. Janë pikërisht këta fëmijë që ne i mbështesim jo vetëm financiarisht, por ofrojmë edhe një mburojë të shërbimeve të kujdesit shoqëror. Jo vetëm kemi trefishuar ndihmën ekonomike, por kemi fuqizuar dhe shërbimet apo përfitimet e tjera që marrin familjet dhe fëmijët e tyre”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu theksoi se kjo konferencë rajonale rinovon edhe njëherë angazhim kolektiv për të ndërtuar një shoqëri në të cilën asnjë fëmijë të mos jetë i përjashtuar.

“Garancia e fëmijës është në fakt një ide e kahershme që u adoptua nga BE në qershor të 2021 si një mënyrë për të nisur dhe rimëkëmbur veten, shoqërinë, organizatat pas pandemisë Covid duke nisur me një synim të veçantë: fëmijët”, tha Koçiu.

“Shqipëria beson fort tek kjo nismë dhe jo pa qëllim kemi organizuar këtë konferencë rajonale sot dhe jemi një ndër vendet që kemi adoptuar rekomandimet e kësaj garancie evropiane për fëmijët në kuadrin tonë legjislativ. Në thelb, gjithçka që jemi duke bërë bazohet me një premisë të qartë: që papunësia ekonomike nuk duhet të jetë një barrierë, për aksesin në shëndetësi, arsim, strehim dhe një ambient të shëndetshëm ku çdo fëmijë meriton të rritet”, nënvizoi Koçiu.

“Ndaj ky takim është një thirrje për të gjithë ne, gjithë institucionet, organizatat, për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi, për të punuar ngushtësisht dhe për të realizuar përmes kësaj platforme konsolidimin e progresit të arritur deri tani për akoma më shumë punë, vendime, angazhim. Nuk kemi trefishuar vetëm ndihmën ekonomike, por kemi fuqizuar dhe shërbimet apo përfitimet e tjera që familjet dhe fëmijët marrin”, vijoi ajo.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e vuri theksin edhe tek rëndësia e arsimit gjithëpërfshirës për fëmijë që vijnë nga grupe të margjinalizuara, ku qeveria shqiptare përmes nismave domethënëse ka mundësuar përfshirjen e tyre në këto procese arsimore, nga marrja e teksteve shkollore falas nga klasa e parë deri në të nëntën, te bursat për të rinjtë që ndjekin arsimin e lartë, duke hequr tarifën e shkollimit për ciklin e parë të studimeve dhe duke përgjysmuar tarifën për ciklin e dytë.