Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu po zhvillon një vizitë zyrtar në Shkup, ku u takua me Ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski. Takimi zhvillohet në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe u pasua nga një deklaratë e përbashkët për shtyp.

Koçiu theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende partnere, të lidhura nga një hapësirë e përbashkët gjeografike, interesa të përbashkëta dhe aspirata të njëjta europiane, si vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ajo nënvizoi se lehtësimi i burokracive dhe procedurave për qytetarët dhe biznesin është një hap i domosdoshëm dhe praktik në funksion të së ardhmes së përbashkët europiane.

Dy homologët diskutuan shndërrimin e pikës ekzistuese të kontaktit, në një Qendër të plotë të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, e cila do të funksionojë 24/7 dhe do të mundësojë koordinim në kohë reale mes strukturave përkatëse.

“Një qendër e tillë do të rrisë ndjeshëm sigurinë, duke forcuar kapacitetet kundër migracionit të paligjshëm, kriminalitetit dhe kontrabandës, si dhe do të shkurtojë burokracitë dhe kohën e pritjes në kufi”, tha Koçiu.

Ministrja bëri me dije se vetëm gjatë një viti janë regjistruar rreth 5 milionë kalime dhe rreth 1.8 milionë automjete në kufirin mes dy vendeve, çka e bën edhe më të domosdoshëm përmirësimin e procedurave dhe infrastrukturës kufitare.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar ishte replikimi i modelit të suksesshëm “One Stop Shop” për kontrollin e unifikuar kufitar në të gjitha pikat e kalimit, para sezonit veror, si dhe lehtësimi i procedurave gjatë sezonit turistik.  Po ashtu, u diskutua rritja e patrullimeve të përbashkëta në Liqenin e Ohrit dhe zhvillimi i projekteve të tjera të përbashkëta në fushën e sigurisë.

Ministrja Koçiu vlerësoi gatishmërinë e plotë të palës maqedonase për të forcuar më tej partneritetin dypalësh, duke falënderuar ministrin Toshkovski dhe duke e ftuar për një vizitë të afërt në Tiranë. Ajo shprehu gjithashtu mirënjohjen për ekipet e OSBE-së, për mbështetjen e vazhdueshme në shndërrimin e ideve në mekanizma konkretë bashkëpunimi dhe në përafrimin me standardet më të mira europiane në fushën e sigurisë.