14 gusht 2013- Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, ka reaguar ndaj deklaratave të organizatës neonaziste greke, Agimi i Artë, në Himarë. Provokimet dhe kërcënimet e Agimit të Artë, Danaj i ka konsideruar thjesht një pabesi e njohur greke, e cila nuk ka ndryshuar që nga lashtësia deri në ditët tona. Danaj tha se monarko-fashistët grekë kanë në thelb pabesinë. Ai shtoi se Shqipëria ka aq zinxhirë sa për të lidhur qentë e tërbuar grekë. Danaj ka paralajmëruar Agimin e Artë që të mos përsërisë herë tjetër provokacionet në Himarë. “Edhe njëherë u vërtetua se monarko-fashistët grekë kanë në thelb pabesinë. Ata shfrytëzuan një ceremoni mortore, për të bërë deklarata politike me karakter të theksuar shovinist. Ata shfrytëzuan dhimbjen për të vdekurin, për të bërë thirrje për vdekje të tjera. Është thjesht një pabesi e njohur greke, e cila nuk ka ndryshuar që nga lashtësia deri në ditët tona.“E sëmura” dhe me e korruptuara e Europës kërkon që të eksportojë krizën e saj në trojet shqiptare. “Qentë e tërbuar” të Agimit të Artë, u sollën në Himarë si “pararojë” e Papuliasit, Samarasit, Venizellosit etj. Por ata harrojnë se Shqipëria ka aq “zinxhirë” për t’i lidhur “qentë e tërbuar”, theksoi Danaj. Ideatori i Listës për Shqipëri Natyrale, tha se Presidenca greke duhet të distancohet sa më parë nga deklaratat shoviniste. Danaj ka theksuar se nëse Greqia nuk distancohet, atëherë Shqipëria duhet të anullojë vizitën e presidentit Papulias të planifikuar në muajin nëntor 2013. “Prandaj Presidenca dhe qeveria greke duhet të distancohet sa më parë nga deklaratat shoviniste dhe luftënxitëse të një partie parlamentare. Përndryshe, Presidenca e Shqipërisë duhet të anullojë vizitën e presidentit Papulias të planifikuar në muajin nëntor 2013”, theksoi ai.
Çamërisë
I pyetur lidhur me deklaratat për gjoja “çlirimin” e Himarës, Danaj u shpreh se fjala “çlirim” sot ka vetëm një kuptim real, çlirimin e Çamërisë nga shovinizmi grek. Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, ka deklaruar gjithashtu se çlirimi i Çamërisë nga shovinizmi grek do të ndodhë së shpejti. “Dhe ky çlirim real i çamërisë, do të ndodhë së shpejti. Tashmë kjo nuk është më në dorën e shovinizmit grek. Në të kundërtën, klithmat e tërbuara të neonazistëve grekë, vetëm se dëshmojnë që Çamëria shumë shpejt do të çlirohet nga shovinizmi grek. Por kjo do të bëhet me paqe nga shqiptarët dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, që sa vijnë e po shtohen qoftë në Bruksel e qoftë në Uashington”, tha Danaj.
Alarmimi i fqinjëve
Projekti i "Shqipërisë Natyrale", pra i Shqipërisë para vitit 1913, tashmë nuk trazon vetëm Serbinë, Greqinë, Maqedoninë, Malin e Zi etj., por mbarë Evropën. Serbia dhe Greqia, dy shtete që kanë marrë pjesën më të madhe të trojeve shqiptare falë Konferencës mizore të Londrës, kanë dhënë alarmin pas nismës së Koço Danajt, për mbledhjen e firmave të 1 milion shqiptarëve për bashkimin e trojeve. Por, për mediat serbe kjo do të thotë një luftë e re në Ballkan. Nga ana tjetër, edhe media greke i kanë komentuar me shqetësim lëvizjet e fundit të Koço Danajt. Adriatik Doçi
/Sot News/





