TIRANE, 10 mars 2013– Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ka komentuar shpërthimet etnike në Maqedoni dhe dhunën e autoriteteve të këtij shteti ndaj shqiptarëve. Ai ka kritikuar ashpër shtetin e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat sipas tij, nuk kanë bërë asgjë veçse ka nxitur përçarjen midis faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Koço Danaj hedh akuza të rënda në drejtim të partive politike shqiptare në Maqedoni, drejtuesit e të cilave sipas tij, janë kapur nga shovinizmi maqedonas. Danaj i kërkon shtetit shqiptar t’i japë fund indiferentizmit dhe të dalë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, ndërsa akuzon ashpër edhe Bashkimin Evropian, i cili sipas tij, është shndërruar në përkrahës të politikave shoviniste maqedonase.

Maqedonia është përfshirë së fundi nga konfliktet etnike. Sipas jush, cilat janë arsyet e këtyre shpërthimeve?

Nuk është një fenomen i ri dhuna e shovinizmit maqedonas ndaj shqiptarëve. Por nuk është edhe ndonjë gjë e re, as “dënimi” që i bëhet kësaj dhune nga politika mbarëshqiptare. Por kjo është shumë pak, kjo është për të “larë” gojën. Për këdo që njeh shovinizmin maqedonas, e ka tashmë shumë të qartë se ai ka dekada të tëra që ushtron dhunë sistematike ndaj shqiptarëve. Ngjarjet e fundit në Shkup treguan qartë para shqiptarëve në Shqipërinë Lindore dhe mbarë rajonin, para Brukselit dhe Uashingtonit se logjika Shoviniste e Gruevski-Cervenkovskit, nuk e pranon logjikën e dialogut që për mëse dy dekada po ju ofrojnë shqiptarët. Kjo logjikë, që nga viti 1994, 1997, 2001, 2004, që nga ngjarjet në Brodec, në Radushë, në Strugë, në Manastir, në Shkup, pranon vetëm shqiptarë të nënshtruar, por jo të barabartë me maqedonasit. Shteti artificial i krijuar në 1945 nga Tito në kurriz të shqiptarëve, edhe në 2013 kërkon të jetojë përsëri në kurriz të shqiptarëve dhe duke përbuzur, përgjakur dhe eliminuar shqiptarët, kulturën dhe historinë e tyre.

Maqedonia është në fushatë elektorale. A janë këto riaktivizime të dhunës etnike ndaj shqiptarëve një formë presioni për të ulur prezencën politike dhe vendimmarrëse të shqiptarëve?

Nuk kanë të bëjnë me fushatën elektorale, kanë të bëjnë me logjikën e shovinizmit. Para kësaj dhune dhe në prag të fushatës elektorale, kishim sherrin ndërmaqedonas, por që befasisht u shua në prag të fushatës.

Shpesh herë shqiptarët që janë në opozitë me pushtetin në Maqedoni, akuzojnë bashkatdhetarët e tyre në pushtet për bashkëpunim me maqedonasit për interesa personale. Sipas jush, a ndikon kjo përçarje midis vetë shqiptarëve në aktivizimin e dhunës ndaj tyre?

Do të bëja një ndërhyrje të vogël, jo shqiptarët si popull, por politikanët shqiptarë. Ata po, ata janë të përçarë me njëri-tjetrin. Mjerisht kësaj përçarje këtë herë i hodhi “benzinë” edhe disa parti politike nga Kosova, të cilët duke “falur” Veriun e Kosovës, shkuan në Shkup për të thelluar përçarjen midis partive politike shqiptare. Doni shembuj? Ja disa: LSDM e Cervenkovskit, megjithëse nuk lë asgjë pa thënë kundër Gruevskit, kur vjen puna tek Komuna e Strugës, nuk nxjerr kandidat për kryetar, por vendos të mbështesë kandidatin e Gruevskit. Pse? Sepse ai është maqedonas. Ndërsa BDI dhe PDSH dalin të përçara në Strugë, secila me kandidat të vetin. Pra, ka ardhur një moment kur duhet thënë se shqiptarët në Shqipërinë Lindore në Maqedoni janë “jetimë”. Krerët e partive të tyre regjistrohen shqiptarë por ndjehen maqedonas, qoftë për hir të aferave korruptive, qoftë për hir të mediokritetit intelektual, qoftë për hir të mentalitetit internacionalist. E përballë kësaj përçarje, Prishtina thellon përçarjen, ndërsa Tirana zyrtare hesht dhe lan “gojën” me ndonjë deklaratë.

Sa është zbatuar, sipas jush, marrëveshja e Ohrit?

Më falni, Marrëveshja e Ohrit ka vdekur. Në gusht 2001, ajo shpëtoi Maqedoninë nga shpërbërja. Ajo ishte kompromisi i madh i shqiptarëve. Ndërsa sot, nuk ekziston. E, sa kohë që ajo ka “vdekur”, ka vdekur edhe vetë Maqedonia.

Shpesh herë qarqe të ndryshme maqedonase janë shprehur pro idesë së ndarjes së Maqedonisë për të krijuar një shtet etnik maqedonas. A janë këto shpërthimet e fundit, vazhdë e një politike të fshehur për shpërbërjen e Maqedonisë?

Më falni por është e kundërta, ata sot luftojnë për të marrë akoma territore shqiptare. Ata pasi spastruan etnikisht Manastirin, Prilepin, Velesin, duan ta realizojnë këtë edhe në Kumanovë edhe në Strugë. Kjo është strategjia afatmesme e tyre. Prandaj sot shovinizmi maqedonas është hedhur në ofensivë, ai po ju tregon shqiptarëve se në vend të demokracisë dhe bashkëjetesës, duhet të zgjedhin frikën nga shteti apo nga njerëzit e paguar nga shteti. Prandaj ky shovinizëm duhet të zhduket. Por për të zhdukur shovinizmin maqedonas, nuk kanë vlerë deklaratat që dënojnë atë dhe në fund ju bëjnë thirrje shqiptarëve për maturi! Ka mëse një dekadë që këto deklarata vijnë nga Tirana, Prishtina apo dalin nga selitë e partive politike shqiptare në FYROM. Ka mëse një dekadë që kombi shqiptar nga Brukseli po përdoret si zjarrfikës i Ballkanit, kur duhet të jetë paqebërësi kryesor i tij. Me ngjarjet e fundit në Shkup, porositë e Brukselit apo deklaratat e Tiranës, Prishtinës, etj nuk kanë më vlerë. Tashmë ka vlerë vetëm rezistenca, protesta masive. Ka vlerë vetëm Bashkimi Kombëtar, ka vlerë vetëm Shqipëria Natyrale. Shovinizmi maqedonas si çdo shovinizëm tjetër ndaj shqiptarëve, do të zhduket vetëm atëherë, kur shqiptarët të bashkohen në një shtet. Për këtë arsye Tirana zyrtare duhet të heqë dorë nga deklaratat që nuk zgjidhin asgjë dhe të zbatojë Kushtetutën e Shqipërisë, e cila parashikon edhe bashkimin kombëtar, edhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë.

Sipas jush, cilat janë arsyet e përçarjes midis faktorit politik shqiptar në Maqedoni? A lidhet kjo thjesht me presionin ndërkombëtar për të mbajtur Maqedoninë në këmbë apo ka diçka tjetër?

Faktori ndërkombëtar, natyrisht që ka pjesën e tij. Por nuk është kryesori. Kryesorja është se politikanët shqiptarë në Maqedoni janë “të kapur” nga shovinizmi maqedonas. Kryesorja është se ata nuk ndjehen shqiptarë, ata nuk ndjehen evropianë, ata janë thjesht “pashallarë neootomanë”. Ata janë më komodë nën urdhrat e shovinizmit maqedonas se sa të shndërrohen në udhërrëfyes dhe udhëheqës të shqiptarëve. Prandaj, “Lista për Shqipëri Natyrale” ju bën thirrje shqiptarëve në Shqipërinë Lindore: Vazhdoni të rezistoni, vazhdoni të protestoni, nga Kumanova në Strugë. Braktisni partitë që duan t’ju përdorin si “mish për top” për interesa të lidhjeve të tyre korruptive me shovinizmin maqedonas. Mos lejoni të sakrifikoheni as ju dhe as shqiptarët e Kosovës Lindore në emër gjoja të kompromisit të madh historik Thaçi-Daçiç, kompromis që jo vetëm nuk mbron shqiptarët, por fal territore të shqiptarëve. Maqedonia “ka vdekur” si shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe maqedonasve. Le ta “varrosim” atë. Ky do të jetë kontributi më i madh në shërbim të paqes, progresit dhe stabilitetit të Ballkanit. Ky do të jetë kontributi më i madh edhe për të shpëtuar Brukselin nga kriza e ekzistencës së vetë BE.

Si e vlerësoni rolin e shtetit shqiptar në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni e më gjerë?

Ka mëse një dekadë që kombi shqiptar nga Brukseli po përdoret si zjarrfikës i Ballkanit, kur duhet të jetë paqebërësi kryesor i tij. Me ngjarjet e fundit në Shkup, porositë e Brukselit apo deklaratat e Tiranës, Prishtinës, etj nuk kanë më vlerë. Tirana zyrtare duhet të heqë dorë nga deklaratat që nuk zgjidhin asgjë dhe të zbatojë Kushtetutën e Shqipërisë, e cila parashikon edhe bashkimin kombëtar, edhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Shovinizmi nuk ndalet me deklarata. Po në këtë kuptim nuk duhen keqkuptuar mesazhet dhe apeli i partnerëve tanë strategjikë të perëndimit. SHBA është kundër retorikave nacionaliste, por është pro Kushtetutës së Shqipërisë. SHBA nuk mbron shovinizmin maqedonas në kurriz të shqiptarëve. Po kështu, Tirana zyrtare duhet të marrë shembull nga veprimi i presidentit italian Napoletano, i cili anuloi takimin me kandidatin për kancelar të Gjermanisë vetëm se ai fyeu dy politikanë italianë, Berluskonin dhe Bepe Grillon duke i quajtur “klounë”. Dhe me të drejtë Napoletano u shpreh se: Unë jam simbol i unitetit të kombit italian, prandaj e anuloj takimin në emër të unitetit nacional dhe dinjitetit të Italisë. Dhe së fundi: Dhuna e shovinizmit maqedonas nuk mjafton të dënohet, ajo duhet të ndalohet. Dhe atë e ndalon vetëm bashkimi kombëtar vetëm Shqipëria natyrale.

Po qëndrimin e BE si e shikoni?

Po të flisja fare shkurt, do të thosha se BE edhe njëherë ndaj ngjarjeve të fundit të shovinizmit maqedonas, tregoi se është ose një “fantazmë” e së shkuarës, ose “Një Klub i Krishterë”. Por po zgjatem pak për të bindur skeptikët. Ju kujtohet sherri politik ndërmaqedonas midis Gruevskit dhe Cervenkovskit? Çfarë ndodhi?  Brukseli u shqetësua me të drejtë, Komisioneri Fyle shkoi urgjent në Maqedoni për të pajtuar Brankon me Nikollën. Po ndaj dhunës së egër, raciste, shoviniste ndaj shqiptarëve, çfarë bëri? Asgjë. Stefan Fyle, që realisht është edhe pa “punë” nuk lëvizi nga Brukseli. Pse? Sepse këtë herë sherri ishte midis shqiptarëve dhe maqedonëve. Sepse këtë herë, shovinizmi maqedonas është i krishterë, ndërsa viktimat shqiptare janë myslimanë. Kjo është fytyra e vërtetë e Brukselit, dhe ne duhet ta themi hapur këtë. Dikur në mesin e viteve 70-të, ish-marksist-leninisti Barroso, e adhuronte Shqipërinë e Enver Hoxhës. Në atë kohë ai ishte një nga drejtuesit e Federatës së studentëve Marksistë leninistë,(FEM-L) dhe anëtar i Partisë Komuniste Portugeze (të Rindërtuar) . Ndërsa sot, kryeministri i BE, Barroso, i përbuz shqiptarët dhe merr në mbrojtje shovinizmin maqedonas.

/gazeta "SOT"/