13 shkurt 2015 –  Një kod etike dhe regjim të rreptë për futbollistët e Flamurtarit. Drejtuesit e klubit kanë vendosur rregulla të reja për lojtarët, teksa këta të fundit do të privohen nga shumë gjëra, të cilat më parë i kanë pasur të pakufizuara. Burime zyrtare në klub treguan gjërat e ndaluara që futbollistët e Flamurtarit do të kenë.

Gjithçka nis nga mosfrekuentimi i jetës së natës e deri te moslejimi i marrëdhënieve intime me partneret e tyre, sidomos para ndeshjeve të rëndësishme. Sipas të njëjtave burime, lojtarët duhet t’i zbatojnë me rigorozitet këto rregulla. Ndërkohë, pjesa më e madhe e tyre u është prezantuar nga klubi edhe vetë futbollistëve, teksa më- sohet se nuk ka pasur kundërshtime nga asnjë prej tyre.

Primarja e të gjithave është mosfrekuentimi i jetës së natës. Kjo do të thotë se asnjë prej futbollistëve të Flamurtarit nuk duhet të shikohet më tej se ora 20:00 në rrugët e qytetit të Vlorës, por as në lokale. Gjithashtu, lojtarëve nuk u lejohet të konsumojnë pije alkoolike gjatë ditëve të javës, por as në fundjavë pas ndeshjeve kur zakonisht trajneri Ramela lë ekipin një ditë pushim. Kodi ka gjashtë pika dhe në bazë të rregullores së re, futbollistët nuk duhet të frekuentojnë jetën e natës, lojtarët duhet të jenë në shtëpi brenda orës 20:00, nuk lejohet konsumimi i pjijeve alkolike dhe as ushqim i pakëshilluar nga stafi mjekësor.

Gjithashtu ndalohen marrëdhëniet intime në ditët para ndeshjeve dhe janë të ndaluara qejfmbetjet mes futbollistëve, mes të cilëve fryma e bashkëpunimit duhet të jetë e lartë si në familje.