Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë, akuzën për 9 të pandehurit e laboratorit të drogës që u zbulua në fillim të vitit 2015 në Xibrakë të Elbasanit. “Trafik droge” dhe “grup i strukturuar kriminal”, është akuza për Ermal Hoxhën dhe të akuzuarit e tjerë.

“Gazeta Shqiptare” ka publikuar sot dosjen e plotë për të pandehurit, ku dalin në dritë faktet, bisedat me kod të përgjuara nga prokuroria dhe fakti që lënda kimike e përdorur për laboratorin u ble me kuponë dhe fatura tatimore

Referuar bisedave të përgjuara nga ana e prokurorisë, të pandehurit i referohen me “ata shokët” kur e kanë fjalën për dy shtetasit kolumbianë.

Ndërsa Ermal Hoxha përdorte emrin “Shkodër” kur i referohej Elbasanit si destinacion.

Genci Xhixhës i referoheshin me emrin “i shëndoshi” ose daku.

“Një sërë faturash tatimore apo kuponësh tatimorë që i janë sekuestruar shtetasit Sajmir Batku, për blerjen e lëndëve të ndryshme kimike, si acid klorhidrik, sodë kaustike etj, apo veshje pune, kova, peshore etj., në periudhën mes fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 2014 të cilat më pas e gjetën dhe në laboratorin ku ekstraktohej lënda narkotike e provojnë këtë”, thuhet në dosje.