Durrës, 21 maj 2014 – Ministrja Kodheli dhe forcat detare shqiptare për rreth tre muaj kanë ofruar një show për mediat shqiptare dhe ato të huaja. Ky spektakël synonte të injektonte në media idenë se tashmë radarët punojnë dhe monitorojnë çdo keqbërës në hapësirën tonë detare. Motovedetat patrullojnë dhe e zënë si peshkun në rrjetë çdo trafikant etj etj.
Për koincidencë, ndërsa në Portin e Durrësit vazhdonte spektakli, peshkarexha italiane “Arizona”, 20 metra e gjatë e specializuar për peshkimin e tonit, pak milje larg Durrësit “peshkonte”, 1450 Kg. kanabis. Në port, ajka e marinës luftarake shqiptare si Kapiten Adnan Agastra apo lejtnant Edison Hoxha me mburrje u tregonin gazetarëve italianë, gjermanë, suedezë, sllovakë, maqedonas etj, dhe disa gazetarëve shqiptarë, se situata ishte nën kontroll dhe trafikantët nuk guxonin të bënin xhap në ujërat shqiptare.
Vetëm pak milje larg, travers kepit të Turrës nga një mjet lundrimi shqiptar shkarkohej në peshkarexhën italiane “ Arizona” një sasi kanabisi prej 1450 kilogramësh. Droga ishte ambalazhuara në 1118 pako me peshë 1 kilogramë dhe 36 pako me peshë 8 kilogramë secila. Kjo peshkarexhë është 20 metërshe e specializuar në peshkimin e tonit. Në peshkarexhë ndodheshin si ekujpazh: Sebastiano Costanzo, 52 vjeç, Giuseppe Costanzo, 51 vjeç dhe Sandro Mirabelli, 45 vjeç.
Kjo anije i përket të njëjtit grupimi kriminal të lidhur me “Cosa Nostra-n” siçiliane, të cilit në prill 2014 iu kap një sasi gjigande kanabisi, i nisur nga Durrësi, të shkarkuar në mes të detit dhe të kapur në Siçili në bordin e një tjetër peshkarexhe italiane.
Përsëri edhe tani në maj ajo, që i shpëtoi policisë shqiptare, radarëve dhe motovedetave të dikasterit Kodheli nuk i shpëtoi rrjetit të informatorëve të “kanarinave” italiane në Shqipëri.
Ndonëse kundërspiunazhi shqiptar i njohur si “SHKB’ e goditi këtë rrjet informatorësh të italianëve nja dy javë më parë , përsëri ky rrjet mbetet eficent. Kujtojmë se financierët italianë, që nga viti 1997, janë të vendosur ligjërisht në Shqipëri sipas marrëveshjeve apo memorandumeve të mirëkuptimit të firmosura me organet shtetërore shqiptare.
Pala italiane e mbikqyrte nga qielli me helikopter Augusta 139 “Arizonën” dhe ngarkesën e drogës me vlerë tregu mbi 6 milion euro nëse do të shitej me shumicë. Me pakicë, vlera e kësaj sasie droge mund të dy apo trefishohej. Pasditen e 20 majit peshkarexha “Arizona “ hyri në portin e Onjinas (Ognina) afër Katanias në Siçili. Policia italiane mësyu në bordin e peshkarexhës menjëherë, sapo ajo u ankorua në kalatën e portit.
Hera e dytë që trafikantëve shqiptarë dhe Cosa Nostra-s siçiliane u dështon trafiku i kanabisit me tonelata vetëm në sajë të punës së mirë informative të financierëve italianë të stacionuar në Shqipëri.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





