·        Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron  Corrie della Sera-n, mediat shqiptare dhe PD-në lidhur me lajmin se pjesëtarë të delegacionit në mbledhjen Azi-Evropë, ku Shqipëria nuk ishte ftuar, ia mbathën në kazinonë e San Remos

 DURRËS, 20 tetor 2014 –  E përditshmja prestigjioze italiane  Corriere della Sera ka bërë “çorap” mediet dhe opozitën e Tiranës, lidhur me një mbledhje të mbajtur në Milano më 16-17 tetor 2014 të ASEM-it (The Asia-Europe Meeting), një proces informal dialogu dhe bashkëpunimi duke mbledhur 28 shtete anëtare të BE-së, 2 vende të tjera evropiane, me 21 vende të Azisë dhe Sekretariatin ASEAN-it, plus këtë vit u ftua dhe Ukraina, për të realizuar një duar-shtrëngim midis krerëve të Moskës dhe Kiveit, Putin e Poroshenko.

Dialogu ASEM trajton çështje politike, ekonomike dhe kulturore, me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy kontineteve, në frymën e respektit reciprok dhe partneritetit të barabartë. 

Në këtë pikëpamje Shqipëria nuk ishte ftuar, për më tepër është e pabesueshme që Tirana të dërgonte një delegacion ushtarak në një mbledhje ekonomike.

Këtë gjë nuk e kuptoi gazetari i famshëm italian Andrea Galli, që në fund të shkrimit me titullin intrigues “Milano, le 48 ore segrete dei leader”, dha lajmin e bujshëm se shqiptarët ia mbathën në kazinonë e San Remos (Un nutrito gruppo della delegazione albanese, appena potuto, è scappato in Liguria. Non per il mare ma per il casinò di Sanremo).

Deklarata e opozitës

“Tirana zyrtare është përfshirë në një skandal me përmasa të padëgjuara më parë. Në Samitin e Euro- Azisë që po mbahet në Milano, me pjesëmarrjen e 53 shteteve dhe mjaft liderëve botërore si Kancelarja Merkel, Presidenti Italian Napoletano, Kryeministri kinez etj, delegacioni shqiptar i kryesuar nga Ministrja e Mbrotjes Mimi Kodheli, ka braktisur punimet për të shkuar në kazinotë e Sanremos.

Lajmi është publikuar në mediat italiane më prestigjoze si e përditshmja Corriere della Sera, e cila u hap me samitin e Euro-Azisë, por lajmin e përmbylli me sjelljen e pazakontë të delegacionit shqiptar që merrte pjesë në këtë samit kaq të rëndësishëm.

Gazeta  Corriere della Sera raportoi se “një grup i madh i delegacionit shqiptar, sapo ka mundur, ia ka mbathur për në Liguria. Jo për të parë detin, por për kazinonë e Sanremos”.

Partia Demokratike e denoncon ashpër këtë skandal të rëndë dhe e cilëson sjelljen e delegacionit shqiptar si të papërgjegjshëm. Mbathja nga punimet e këtij samiti të rëndësishëm për të shkuar në Kazino, tregon arrogancën e qeverisjes së vendit, që nuk ndalet para asnjë lloj etike dhe norme zyrtare.

Ky skandal vjen pas zhdukjes një javë të kryeministrit Rama jashtë vendit, ku nuk bëri transparencë, ku nuk tregoi se ku shtoi dhe as kë takoi.

Partia Demokratike i bën thirrje opinionin publik dhe qytetarëve shqiptarë të dënojnë këtë akt të shëmtuar të zyrtarëve të qeverisë shqiptare”.

Deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes

“Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik dhe Partinë Demokratike që gjatë gjithë javës së kaluar znj. Mimi Kodheli ka drejtuar ministerialin e Kartës së Adriatikut, i cili u mbajt në Budva të Malit të Zi [14-16 tetor 2014 – “Dyrrah”-u]. Gjatë qëndrimit të saj në Malin e Zi, ministrja ka takuar zëvendësasistenten e sekretarit amerikan të Mbrojtjes për Euro-Azinë, znj. Evelyn N. Farkas, ministrin turk të Mbrojtjes z. Ismet Ylmaz, ka bërë takime me homologen malazeze znj. Milica Pejanović – Đurišić, ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Agim Çeku, zëvendësministrin e Mbrojtjes të Gjeorgjisë, si dhe shumë përfaqësues të tjerë të shteteve pjesëmarrëse në këtë samit.

Në fundjavë, ministrja e Mbrojtjes ka pasur një takim me senatorin amerikan Chris Murphy. Të gjitha këto aktivitete janë bërë publike për opinionin.

I bëjmë thirrje Partisë Demokratike të informohet përpara se të bëjë deklarata qesharake që synojnë jo vetëm të keqinformojnë publikun, por dhe të nxjerrin Shqipërinë si një vend të papërgjegjshëm në forume ndërkombëtare.

Sqarojmë opinionin publik se Shqipëria nuk është pjesë e forumit të Euro-Azisë, ndaj asnjë përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes apo qeverisë shqiptare nuk ka qenë pjesëmarrës.

Ndërkohë, i kërkojmë si gazetës “Corriere della Sera”, ashtu edhe medieve shqiptare që kanë publikuar këtë lajm të bëjnë përgënjeshtrimin ose në të kundërt do të përballen me pasojat ligjore për shpifje, proces me të cilin përfaqësuesit tanë ligjorë po merren”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/