Tiranë, 14 prill 2014 – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla të reagojë lidhur me akuzat e PD-së për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e lëndëve narkotike. Përmes një shkrese zyrtare dërguar kryeprokurorit, ministrja thekson domosdoshmërinë e hetimit të këtyre akuzave, pasi sipas saj, opozita kërkon t’i bëjë Forcat e Armatosura “mish për top nga propaganda antiqeveritare”.
Në letër, Kodheli i kërkon kryeprokurorit Llalla të nisë hetimet për kërkesën e paraqitur në datë 11 prill nga dikasteri i Kodhelit.
Një ditë më parë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike shkëmbyen replika mes njëra-tjetrës, në lidhje me akuzat për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e lëndëve narkotike. Deputeti demokrat, Flamur Noka bëri të ditur se do të thërrasë në seancë dëgjimore urgjente në Komisionin e Sigurisë, ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ndërsa selia rozë, nëpërmjet ligjvënësit, Besnik Bare tha se këto akuza të PD janë tentativa për të marrë në mbrojtje politike ish-funksionarë të lartë që kanë shpërdoruar detyrën.
Letra e plotë e ministres Mimi Kodheli
I nderuar Zoti Prokuror i Përgjithshëm. Me cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, po Ju dërgoj këtë letër përmes së cilës kërkoj reagimin Tuaj të menjëhershëm lidhur me deklaratat më të fundit të bëra publike nga subjekti politik “Partia Demokratike e Shqipërisë. Zoti Prokuror i Përgjithshëm, siç jeni në dijeni, u bënë disa ditë që deputetë të kësaj force politike po hedhin baltë në drejtim të Forcave të Armatosura duke lëshuar akuza të rënda. Me këtë letër, përsëris shqetësimin tim lidhur me këto akuza përmes të cilave kërkohet që Forcat e Armatosura të bëhen “mish për top nga propaganda antiqeveritare”.
Zoti Prokuror i Përgjithshëm, kërkoj prononcimin Tuaj nëse keni nisur apo jo hetim, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes të datës 11.04.2014 lidhur me këto akuza dhe në rast se jo, përsëris domosdoshmërinë e nisjes së një procesi hetimor.
Duke përfituar nga kjo letër, kërkoj shqyrtimin deri në fund dhe në detaj të të gjithë dosjeve që Ministria e Mbrojtjes ka depozituar pranë organit hetimor. Kam qenë dhe mbetem e bindur se shqyrtimi i tyre do t’i çlirojë Forcat e Armatosura nga barra e një të shkuare të dëmshme në drejtimin e saj dhe nga rreziku i përsëritjes në të ardhmen të keqpërdorimit të tyre.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





