TIRANE, 5 janar 2014 – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli paralajmëron reforma të shumta në këtë dikaster gjatë vitit 2014. Vetëm në Forcat e Armatosura, deri në fund të vitit 2015 do të shkurtohen 1500 ushtarakë. Në një intervistë televizive Kodheli u shpreh se ka një dokument strategjik, mbi të cilin do të bazohet edhe Dokumenti Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes.
“Është një proces i lënë përgjysmë, madje as i filluar nga qeveria e mëparshme. Ne do ta ridimensionojmë këtë proces nën kryesimin e Ministrisë së Jashtme për të mundësuar një dokument strategjik afatgjatë të mbrojtjes dhe sigurisë”, sqaroi Kodheli për “Vizion Plus”. Kjo është sipas saj, njëra anë, pasi u mbyll ristrukturimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ka filluar strukturimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i cili është një proces po aq i rëndësishëm. “Ky proces ka filluar, do të finalizohet shumë shpejt dhe në këtë mënyrë ne kemi realizuar një ndër obligimet kombëtare, por edhe të NATO-s, madje lidhur edhe me një ridimensionim të të gjithë kornizës ligjore, kornizë e cila shpeshherë e ka penguar këtë ristrukturim”, u shpreh Kodheli. Sipas saj, “ushtria shqiptare funksionon mbi disa ligje të vjetra, të cilat vetëm janë arnuar në vite, një ligj daton në 2002 dhe një ligj në 2004 dhe megjithëse Shqipëria në 2009 është futur në NATO, kjo nuk është reflektuar në kornizën ligjore. Kjo është një gjë që ne do ta bëjmë në 2014 dhe padyshim kjo do të jetë edhe baza më e mirë mbi të cilën do të mbështet edhe ristrukturimi i Forcave tona të Armatosura”.
“Kemi një detyrim bazuar në dokumentin strategjik që Forcat e Armatosura nga 10 mijë, në fund të vitit 2015 të numërohen 8500. Kjo do të jetë një pjesë e ristrukturimit të përgjithshëm dhe mendojmë që në këtë mënyrë ushtria shqiptare do të jetë pak më e vogël në numër, por shumë më profesioniste, shumë më e përgatitur dhe shumë më e strukturuar, në mënyrë që t’u përgjigjemi kërkesave të vendit, kërkesave kushtetuese dhe kërkesave të NATO-s sa më mirë”, theksoi Kodheli. E pyetur në lidhje me denoncimin që ajo ka bërë për paraardhësin e saj, Arben Imami, Kodheli shprehet se, “puna nuk mbaron me kaq. Ky ka qenë vetëm fillimi dhe është vetë fillimi. Detyrimi që auditimi i brendshëm ka, apo inspektimi brenda Ministrisë së Mbrojtjes ka për të bërë transparente këtë gjë, është një detyrim që rrjedh nga ligji dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë derisa të zbardhen të gjitha aferat dhe abuzimet që janë bërë në këtë ministri dhe në ministritë e tjera”.
“Ushtria shqiptare ka pasur para për ta realizuar këtë gjë, por edhe mundësitë dhe kuadrot e përgatitura për ta bërë këtë gjë. E para, mendoj se ka munguar vullneti politik për ta kryer këtë investim të madh dhe e dyta, paratë e destinuara për të modernizuar ushtrinë shqiptare kanë shkuar në drejtime të tjera, në funksion të pushtetit të atëhershëm apo në funksion të interesave personale, të cilat e kanë dëmtuar modernizimin dhe transformimin më të shpejtë dhe më pozitiv të ushtrisë shqiptare”, theksoi ministrja e Mbrojtjes.
/gazeta shqiptare /





