Qeveria publikoi dje Kodin Etik Ministror, i cili ndryshon rrënjësisht komunikimin e anëtarëve të qeverisë me publikun dhe me median.
19 shtator 2013- Siç ishte premtuar, Kodi u publikua i plotë dje, ndërsa u miratua në mbledhjen e parë të qeverisë, menjëherë pas betimit në Presidencë. Kodi i ndalon rreptësisht çdo ministri që të bëjë publike mendimet e tij për një vendim qeverie kur ai ka qenë kundër.“Anëtari i Këshillit të Ministrave, pas marrjes së vendimit duhet të shmangë në publik çdo shprehje mospajtimi dhe të mbrojë ose të përkrahë vendimet e arritura, si dhe duhet të ruajë konfidencialitetin e mendimeve, vlerësimeve të debateve e të raportimeve, të shprehura në Këshillin e Ministrave dhe komitetet ndërministrore, si dhe nëpërmjet korrespondencës”, thuhet në nenin 5 të këtij Kodi. Gjithashtu, sipas këtij Kodi, për çdo prononcim apo intervistë të anëtarit të qeverisë në media duhet më parë të marrë pëlqimin e Zyrës së Komunikimit pranë Këshillit të Ministrave.
Madje Kodi e paralajmëron ministrin që “të bëjë kujdes që deklaratat e tij të përputhen me programin dhe qëndrimet politike të qeverisë”. Në lidhje gjithnjë me marrëdhënien që qeveria do të ketë me mediat, Kodi i Etikës së Ministrave përcakton që çdo padi penale e ministrit ndaj një gazetari apo medieje, duhet më parë të marrë miratimin e Kryeministrit. “Anëtari i Këshillit të Ministrave ndalohet të ngrejë një padi civile dhe/ose të bëjë një kallëzim penal kundrejt një medieje të caktuar apo përfaqësuesit të saj pa marrë më përpara miratimin e Kryeministrit ose të Këshillit të Ministrave”, thuhet në nenin 19 të tij.
Kodi përcakton dhe detyrimin e ministrave që të mos jenë njëkohësisht deputetë. Përmes një kuadri parimesh, mbi të cilat është hartuar, Kodi i Etikës u kërkon ministrave që në punën e tyre të ndiqen nga zbatimi i Kushtetutës, nga parimi i besueshmërisë dhe solidarësisë, ku nuk duhet të dalë kundër vendimit të ekipit qeverisës, nga parimi i paanshmërisë, ndershmërisë, transparencës dhe shmangies së konfliktit të interesit. Aristir Lumezi
PREAMBUL
Qeveritarët përballen çdo ditë me vendime, të cilat, përveç aspektit ligjor, kanë edhe implikime etike e morale, si edhe kanë të bëjnë me çështje që kanë një interes të lartë publik. Publiku kërkon një qeveri me vendimmarrje të ligjshme, shërbim cilësor dhe që është i hapur, i aksesueshëm dhe i drejtuar si duhet. E shkuara ka dëshmuar për një cenim të rëndë të marrëdhënies së besimit ndërmjet qeveritarëve dhe qytetarëve. Për rivendosjen e besimit te sistemi ynë politik, nëpërmjet rikthimit të besimit publik në integritetin e qeverisë, hartohet ky Kod Etik, i cili është konceptuar si një mjet për të nxitur përmirësimin e vazhdueshëm të qëndrimeve dhe sjelljeve drejt standardeve më të larta të drejtimit dhe ridimensionimin e moralitetit të zakonshëm në sferën e çështjeve qeveritare.
http://www.panorama.com.al/2013/09/19/qeveria-rama-zbardh-kodin-e-etikes/





