Tiranë, 4 shtator 2014 – Deputetët nuk do të kenë të drejtën të përdorin celularët gjatë punimeve të Parlamentit.
E përditshmja “Panorama”, shkruan se një kufizim i tillë është vendosur në Kodin e Etikës, të hartuar nga Kuvendi në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së.
Neni 10 i Kodit të Etikës, saktëson se: “gjatë zhvillimit të seancave plenare dhe mbledhjeve të organeve të Kuvendit, si rregull, deputeti nuk duhet të përdorë telefoninë e lëvizshme”.
Po ashtu, në këtë nen saktësohet se gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit, në komisione dhe seancë plenare, deputeti duhet të paraqitet me veshje zyrtare.
Ndërkohë, Kodi kërkon që deputetët të mos përdorin fjalë të pahijshme apo ofenduese. Ata nuk duhet të përdorin fjalë fyese apo kërcënuese ndaj njëri-tjetrit, si dhe anëtarëve të kabinetit.
Deputetët gjithashtu ndalohen të pranojnë dhurata.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





