Tiranë 13 mars 2014 – Kodi i ri doganor, që pritet të miratohet së shpejti, do të vendosë një marrëdhënie bashkëpunuese mes biznesit dhe administratës doganore dhe përfaqëson praktikën e re e të unifikuar me sistemin doganor europian.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Bruksel me Heinz Zourek, Drejtor i Përgjithshëm të Taksave dhe Unionit Doganor të Bashkimit Europian, drejtore e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, e njohu me projekt-Kodin, i cili përfshin në përmbajtjen e tij dy risi shumë të rëndësishme, operatorin ekonomik të autorizuar dhe procedurat e thjeshtuara. Projekti i dytë i rëndësishëmi këtij kodi, është dhe “Dritarja e vetme”, një projekt që do të kthehet në një partner të besueshëm për komunitetin e biznesit.
Disa prej përfitimeve që do të ketë biznesi përfshijnë shkurtimin e kohës për praktikat administrative, uljen e kostos së aplikimit dhe rritjen e nivelit të transparencës. Kodi i Ri Doganor, që pritet të miratohet së shpejti nga qeveria shqiptare, fut konceptin e Operatorëve Ekonomik të Autorizuar (AEO), të cilët kanë disa avantazhe, si aksesi në proçedurën e zhdoganimit të centralizuar, duke i lejuar ata të paraqesin deklaratat doganore dhe të paguajnë detyrimet në të shumtën e rasteve nga zyra e tyre e regjistruar.
Operatorët gjithashtu mundet të lejojnë të lëvizin mallrat, ndërkohë që ato janë ende nën magazinim të përkohshëm. Përveç të tjerave, operatorët ekonomik të autorizuar do të kenë mundësi të përfitojnë shtyrje të pagesave, në bazë të një garancie me një shumë të reduktuar (në krahasim me operatorët e tjerë që nuk janë cilësuar si të tillë, të cilët duhet të sigurojnë një garanci të plotë).
Një lehtësim tjetër për to ka të bëjë me kohën kur mallrat konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë. Mallrat do të konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë në momentin kur operatori paraqet deklaratën doganore, pa qenë nevoja të bëjë paraqitjen e mallrave. Megjithatë autoritetet doganore kanë gjithmonë të drejtën të kërkojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe të kryejnë inspektime në ambientet ku mbahen mallrat apo dokumentacioni.





