29 tetor 2015 – Termi “Ngacmim seksual” do të përcaktohet qartë në Kodin e ri të Punës, për të mos lënë asnjë hapësirë interpretimi në gjykatë. Në ligjin e ri, i është kushtuar më shumë vëmëndje mbrojtjes së punonjësve nga ngacmimet seksuale, përveç shumë ndryshimeve të tjera, që ende nuk janë votuar në parlament.

Në nenin 32, për “Mbrojtjen e Personalitetit” janë shtuar dy paragrafë të rinj, sipas të cilëve përcaktohen qartë mbrojtja që duhet t’i garantohet punonjësve gjatë orëve të punës.

Më poshtë është shkëputur një pjesë nga Kodi i Punës, se si është ligji sot dhe se si do të ndryshojë pas miratimit nga parlamenti.

Si është:

Neni 32 – Mbrojtja e personalitetit

1. Punëdhënësi respekton dhe mbron në raportet e punës personalitetin e punëmarrësit.

2. Ai duhet të parandalojë çdo qëndrim që cenon dinjitetin e punëmarrësit.

3. Punëdhënësi ndalohet të kryejë çdo veprim që përbën shqetësim seksual karshi punëmarrësit dhe nuk lejon kryerjen e veprimeve të tilla nga punëmarrësit e tjerë.
Me shqetësim seksual kuptohet çdo shqetësim që dëmton në mënyrë të dukshme gjendjen psikologjike të punëmarrësit për shkak të seksit.

Si ndryshon

Neni 32 – Mbrojtja e personalitetit

Në pikën 2, të nenit 32, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Punëdhënësi ndalohet të ngacmojë punëmarrësin me veprime të përsëritura, që kanë për qëllim ose sjellin si pasojë degradimin e kushteve të punës, në një shkallë të tillë që mund të çojë në cenimin e të drejtave dhe dinjitetit të personit, në prishjen e shëndetit të tij fizik ose mendor ose në dëmtimin e të ardhmes së tij profesionale.”

Fjalia e fundit e pikës 3, të nenit 32, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Shqetësim seksual është çdo formë e padëshiruar sjelljeje, e shprehur me fjalë ose veprime fizike e simbolike me natyrë seksuale, e cila ka për qëllim ose sjell si pasojë cënimin e dinjitetit personal, në mënyrë të veçantë kur krijon një mjedis kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues apo fyes, që kryhet nga punëdhënësi kundrejt një punëmarrësi, një punëkërkuesi për punë ose midis punëmarrësve”. Lapsi

/portali DurresLajm/