TIRANE – Drafti i Kodit të ri të Punës parashikon një sërë masash në lidhje me diskriminimin në punë. Në këtë kuadër, në nenin 4 të tij janë shtuar një sërë kategorish të reja, për të cilat ndalohet diskriminimi i çfarëdollojshëm në punësim apo formim profesional. Pra, në këtë nen parashikohen dhe shkaqe të tjera për të cilat ndalohet diskriminimi në punësim, si “orientimi seksual” apo “jetesa me HIV/AIDS”. 

Kjo bëhet në përputhje me direktivat e BE-së, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjin mbi mbrojtjen nga diskriminimi, ndërkohë që është parashikuar që barra e provës t’i lihet punëdhënësit, me qëllim që të detyrohet për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të respektuar parimin e mosdiskriminimit. Në Kodin aktual të Punës, me diskriminim kuptohet çdo dallim, përjashtim ose parapëlqim që bazohet në racë, ngjyrë, seks, moshë, fe, bindje politike, origjinë kombëtare, origjinë shoqërore, lidhje familjare, të meta fizike ose mendore, që cenon të drejtën e individit për të qenë i barabartë në punësim dhe trajtim. Ndërkohë që, formulimi i këtij neni në draftin e Kodit të ri është: “Me ‘diskriminim’ kuptohet çdo dallim dhe/ose përjashtim që bazohet në gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësinë e kufizuar, jetesën me HIV/AIDS, përkatësinë në një grup të veçantë, ose në çdo shkak tjetër që ka si qëllim apo pasojë pengesën apo bërjen e pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët të së drejtës për punësim dhe profesion”. 

Ndryshimet 

Tashmë Këshilli Kombëtar i Punës ka miratuar ndryshimet në 90 nene të kodit aktual, ndërkohë që drafti do t’i dorëzohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë. Sipas ndryshimeve, parashikohet që koha maksimale javore e punës të jetë 48 orë, nga 50 që ajo ishte aktualisht. Kjo do të thotë se punëmarrësit do të kenë mundësi që të punojnë jo më tepër se 8 orë shtesë në javë, duke qenë se koha e detyrueshme e punës është 40 orë në javë, ndërkohë që në një vit nuk mund të bëhen më tepër se 200 orë shtesë. Ndryshime janë bërë edhe sa u përket grave shtatzëna. Sipas draftit të ri, është rritur periudha e detyrueshme e lejes së paslindjes, nga 42 ditë që ishte aktualisht, në 63 ditë. Gjithashtu, ndalohet puna e natës për gratë shtatzëna dhe me fëmijë me gji. Draft-Kodi i Punës parashikon edhe mbrojtje më të mirë në punësimin e të miturve, nëpërmjet rritjes së moshës, nga 14 vjeç në 15 vjeç. Edhe punëmarrësi nuk është lënë jashtë ndryshimeve të bëra në Kodin e Punës. Kështu, ndryshimet e bëra në nenin për të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare vetëm kur ato bien në ditë pune, lehtësojnë koston e punës për punëdhënësit, duke e përmirësuar klimën e biznesit dhe duke e përputhur atë me praktikën evropiane. Gjithashtu, për herë të parë është futur koncepti i telepunës, që do të thotë mundësi pagese edhe për punë që mund të kryhen që nga shtëpia. Risi e këtij kodi është edhe leja prindërore, e cila parashikon për babain e një fëmije deri në moshën 6 vjeç deri në 4 muaj leje, që mund të merren në periudha të ndryshme kohore. Kodi i ri parashikon garanci të reja edhe për aksionin sindikal, duke përgjysmuar kohëzgjatjen e pajtimit, duke sanksionuar të drejtën për grevën e solidaritetit, të grevës së përgjithshme në nivel kombëtar apo rajonal etj.