TIRANE- Kodiku i Korçës 93, Katërungjillëshi i shekullit X – një nga dorëshkrimet bizantine dhe pasbizantine që u rizbuluan pas ndryshimit të regjimit ateist në Shqipëri – vjen si një botim faksimile. Kodiku i përket shekullit X dhe përmban tekstin e katër Ungjijve. Për nga periudha historike, kodiku është i vendosur në mes të epokës maqedonase, gjatë së cilës Bizanti njohu fuqinë dhe lavdinë më të madhe të tij. I prodhuar në Kostandinopojë, ai është përdorur në Mitropolinë e Korçës, thesar i çmuar i së cilës pati qenë për shumë shekuj, raportojnë mediat shqiptare. Kodiku paraqet interes të përveçëm artistik dhe historik. Nga njëra anë jep një pamje interesante të prirjeve artistike që kishin punishtet libërshkruese të Kostandinopojës gjatë periudhës së quajtur si Rilindja Maqedonase dhe, nga ana tjetër, dëshmon për lidhjen në përgjithësi të mjedisit të Shqipërisë së sotshme me kryeqendrën kulturore të Bizantit.
“Kodiku paraqet interes të përveçëm artistik dhe historik. Nga njëra ana na jep një pamje interesante të prirjeve artistike që kishin punishtet libërshkruese të Kostandinopojës gjatë periudhës së quajtur si Rilindja Maqedonase dhe, nga ana tjetër, dëshmon për lidhjen në përgjithësi të mjedisit të Shqipërisë së sotshme me kryeqendrën kulturore të Bizantit", kanë thënë Andi Rëmbeci e Sokol Çunga, që janë kujdesur për botimin. Sipas tyre, mu për këtë arsye ai zë vend të përveçëm mes atyre dorëshkrimeve që për shumë shekuj u përdorën dhe u ruajtën në mjedisin shqiptar
Kodiku i Korçës 93 përbën një nga shembujt më karakteristikë të prodhimit të librave në periudhën e Rilindjes Maqedonase. Ai përbëhet nga 308 fletë pergamene me përmasa 153 me 120 milimetra. Teksti i katër ungjijve është i shkruar në pergamenë të hollë, të punuar mirë, me ngjyrë të bardhë qumësht. Sipërfaqja e shkruar e tekstit të katër ungjijve paraqitet në formë kryqi, një dukuri veçanërisht e rrallë në historinë e dorëshkrimeve bizantine”, raporton agjencia e lajmeve ATSH. Sipas saj, vlen të shënohet fakti se Kodiku i Korçës 93 përbën një nga dorëshkrimet më të vjetër të kategorisë së kodikëve me të gjithë tekstin në formë kryqi. ATSH-ja shkruan se ky kodik paraqet elementë dekorativë të çmuar të kohës dhe përbën pjesë të pashkëputur të historisë së artit bizantin. Në gjashtë fletë paraqiten kanonet e gjegjësisë së ungjijve (kanonet e Eusebit). Në çdonjërën nga miniaturat e sipërme, kanonet përmblidhen brenda tri kolonave, që përfundojnë me kapitele dhe krijojnë një hapësirë prej dy lobesh mbuluar me harqe. Tek disa nga tabelat kolonat kanë ngjyrë jeshile, kurse tek disa kafe të kuqe. Harqet, kapitelet dhe titujt janë punuar me ar. Pothuaj tek të gjitha fletët element kryesor dekorativ janë një sërë elementësh morfologjikë të ndryshëm ndërtesash apo motivesh arkitekturore, floreale dhe zoomorfe.
Sipas njoftimit ky botim do të përurohet sot (e diel) nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Kisha Ortodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë. Origjinali i Kodikut të Korçës 93, ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë.
Folegjenda: Kodiku i Korçës 93 përbën një nga shembujt më karakteristikë të prodhimit të librave në periudhën e Rilindjes Maqedonase. Ai përbëhet nga 308 fletë pergamene përderisa teksti i katër ungjijve paraqitet në formë kryqi, një dukuri veçanërisht e rrallë në historinë e dorëshkrimeve bizantine