Reportazh nga Ben Andoni
Majës të Currilave, që përkon me kuotën 120 metra të saj, i kanë mbetur dhe pak kohë jetë. Themi kështu, sepse pak nga pak, reshjet e fundit të pranverës po e gërryejnë me shpejtësi. Masa e dheut që përcillet në udhë pranë detit është e madhe, kurse shtëpive e restoranteve në fund, po u afrohet ngado masivi i dheut. Edhe shtëpitë që janë në krye të kodrës, janë shpejt drejt grahmave…pasi rrëshqitjes nuk i shpëton më asgjë. Dora “e mençur” e vendasve ka hequr pishat dhe shkurrishtet, që e mbanin të gjithë këtë rrëshqitje duke e përgatitur vetë katrahurën…
Burri i vjetër çapitet ngadalë. E ka lehtë sepse është në tëposhtje. Vjen nga sipër, me një torbë dhe po zbret poshtë të mbledh ca shkarpa për t’u ngrohur. Nuk ka marrë çadër, pasi shiu ka pushuar pak minuta më parë. Ca rreze dielli, që çajnë masën e reve mbi port, kanë depërtuar deri te shtëpia e tij në kodrën e Vilës së Zogut. Kjo sikur i jep besim. Çapitet…
… Pak metra më andej, poshtë kodrës së Currilave, polici ‘e braktis’ shpejt vendin e tij të punës. Rrezet e gënjeshtërta të diellit ikin shpejt. E kupton që askush nuk do t’ia dijë dhe sa të fillojë shiu masa e rrëshqitjes do lëpihet natyrshëm deri në fund. Sa për makinat? Do e kuptojnë vetë dhe kthehen pas. Rrotullohet të dëgjojë diçka. Radio, të cilën dikush e ka hapur tek Bërryli në Currila flet për lëvizjet e fundit të LSI-së. Zhurma hokatarësh pijanikësh e mbysin shpesh. Ikën dhe ai. “Varja”, i thotë një mikut të vet. Ne, parkojmë pak më tutje. Nga Bërryli e deri në fund rruga e mbushur me dheun e ardhur nga sipër e ka bllokuar gati gjysmën e korsisë që të përcjell drejt Hotelit në skaj të Currilave. Ne jemi viktimat e rastit. Ashtu si ne, pas nesh, bllokohen dhe makinat e tjera. Polici na kalon përbri në korsinë tjetër dhe na shikon indiferent. “E hëngrët. O të zinjtë ju”,-duket sikur thonë sytë e tij. Nuk e kemi ngrenë, thjesht s’kemi ikur më tutje. E përshkojmë me këmbë korsinë, e cila është gati e zënë deri në fund prej masivit të dheut që ka rrëshqitur në të gjithë gjerësinë e vet mbi udhë. Në një restorant, i është futur kudo dhe imitacionet e shëmtuara të figurave të zotave grekë, ngjajnë si endacakë të murosur. Në një tjetër dy burra, punojnë me përtim dhe masën e argjilës nga lopatat e tyre e derdhin nga lart direkt e në udhë. Natyrshëm.
Rrëshqitjet
Njerëzit janë të mësuar me rrëshqitjet. Dy burra, një i vjetër dhe një i ri, që punojnë majë një restoranti, na shikojnë me një si ndjesi bezdije. Mundohem të kap momentin, kur heqin baltën me lopatë dhe pllum na e hedhin para nesh. Si për inat. Shiu, që i ka rënduar pikat, i pengon fare pak. A mund të ngjitemi sipër? “Jo, nuk e sheh që është e mbyllur. Ik! Mos na çaj kokën!”, më bërtet dikush. “Nuk ngjitesh dot s’e shikon. Ik. Zhduku!” I bëj shenjë të qetësohet. Një si restorant përballë duket sikur po fillon ‘të zhytet’ në masën e baltës. Kurse, motoskafi që i rri përbri, prehet gati i zhytur në baltë. Një djalë i ri del jashtë dhe na fton: “Jemi hapur”, thotë. Kthjellohemi. Punokan. E pyesim për udhën dhe rrëshqitjen. “Eh, kështu bëhet. S’është ndonjë gjë e madhe”. Banorët janë mësuar. Kur të mos bjerë shi, do vi një ekskavator që e ndjek një kamion dhe bashkë do heqin dheun. Ky është rituali i zakonshëm që ndodh pas disa rrëshqitjeve. Dhe pastaj, e zakonshmja. Njerëzit dufin ia derdhin çdo mëngjes publikut informal që nga emisioni i Bashkim Hoxhës. “Po na ha kodra, o Bashkim do i them, na sqaron një burrë që vjen me një çadër të vjetër, aty ku ne bëjmë më së shumti fotografi. Pse nuk ia thua, i them. “E ku të lënë aty. Të gjithë duan të flasin te Bashkimi”. Për fat, burri drejtohet në shtëpinë e dy burrave që më janë hakërruar nga larg. I bashkohem dhe unë. Dy burrat janë pastruar dhe më kanë gënjyer paq. Aty mund të futesh thjesht edhe nga dera. “Dëgjo!-ma pret më plaku, por pa më lënë të futem. Kanë ardhë gazetarë të tjerë. Ia fusin kot, këtu faji është i robit dhe i bashkisë. Ishte me pemë, tani e kanë zhveshur krejt. Kishte kanale. I kanë mbyll. Ja kjo është e gjitha. I thua kryetarit të bashkisë, ai thotë mirë, por as nuk vjen dhe as nuk e vret fare. A do ikësh tani?”. Po, i përgjigjem. Me kaq duket se të gjithë i lajnë duart. Currilat prej kohësh e kanë humbur atë sharmin e dikurshëm, me të cilët mburreshin durrsakët prej vërteti. Askush tani nuk e kujton sesi u zhduk një godinë, që dikur shërbente si restorant, si u zhdukën pemët, ashtu si askujt nuk i bën përshtypje, e nuk thonë asgjë që ndërtimet vijojnë ende…Dhe, kanë ‘të drejtë’. Askush s’do t’ia dijë. Bashkia. Prefektura. Të gjithë kundër të gjithëve. Rrëshqitjet në këtë zonë janë shtuar aq shumë saqë këtë mesjavë ishte hera e pestë, që apelohej. Ka ndryshuar gjë? Me një sy të qetë, shikon se janë plot dhjetëra metra kub baltë, e cila ka dalë në rrugën Durrës-Currila dhe e ka bllokuar krejt trafikun e automjeteve, aty ku parkojmë ne. Njësoj si ne, në grackë janë dhe shumë makina. S’ka tabelë paralajmëruese. S’ka polic.
Burrat s’ma kanë ngenë dhe njësoj dhe unë. Burri i vjetër fut mikun, që e kalon pragun dhe më harron, por mua s’ më lë as të fotografoj. “Më lër në këtë siklet”, më shton. E lë. I kërkoj ndjesë. Pas kësaj fraze dhe ndarjes dëgjoj fraza të tjera mikpritje për burrin që vjen në shtëpi dhe gazmend, sikur është festë.
Rrëshqitjet kanë vendosur në një telash të paparë ato pak ndërtime dhe biznese, ngritur në krahun e kodrës, por duket se më të rrezikuar janë ndërtimet që hasim në majë të kodrës, atje ku kullosin të patrazuara katër lopë të stërmëdha. Aventurierët (kështu duhet të quhen), vetëm 100-120 metra nga kuota sipër e kodrës, kanë ngritur një ngrehinë pak-katesh. Ka dhe një gropëz para, e cila të duket si gropë pishine, por ende e papunuar. S’ka tabelë rreziku, kurse mu në majë, pak më tutje, brejtja e kreshtës së kodrës 120 metra mbi nivelin e detit, ka marrë formën e një brejtje që i ngjan asaj të gjysmëhënës. Po merr gjithnjë e më shumë terren. Në media kronika është e frikshme: shtëpi të braktisura nga banorët, pak më larg familje të izoluara në segmentin Vollgë-Currila. Pse e gjitha kjo, i them një banori, që na vëzhgon shumë indiferent dhe nuk e heq çadrën nga dora:”Dikur pastrohej kanali, mbilleshin pemë dhe asnjëherë nuk ka pasur problem rrëshqitje, kurse tani…”. Për hir të së vërtetës, rrëshqitjet janë dhe më brenda, ato i shikon deri në kodër Vilë, ku në një segment, brejtja është aq e madhe saqë tashti është shumë afër shkëputjes me pjesën tjetër, e gati ta ndajë fare Kodër Vilën në dy pjesë. Ekspertët kanë një përgjigje të gatshme: shkak për rrëshqitjen e dherave kanë qenë reshjet plot intensitet të shiut që kanë gërryer kodrat dhe kanë shkaktuar shkëputjen e masiveve të dherave?!!!
Situata
Kodra e Currilave ose Kodër Vila, e ka marrë emrin se dikur aty afër majës ka qenë Vila e Mbretit Zog. Makutëria e lejeve se ka marrë parasysh rrezikshmërinë e këtij vendi. Ajo është e rrethuar nga apartamente të larta, që bëjnë garë me lartësinë. Të ngritura mbi një formacion tokësor që përbëhet nga toka e rëndë dhe argjilore, ajo ruan të njëjtën strukturë deri në Kallm. Ndërtuesit që u morën me Vilën e monarkut dikur, bënë diçka të mençur sepse afër i vunë mure të larta dhe bënë shumë ndërtime konsolidimi. Vila e Zogut, që më vonë do bëhej rezidencë qeveritare, e kishte të gjithë luksin e nevojshëm të vrojtonte e lirë mbi det. Në kohën e socializmit u shkua dhe më shumë. Jo vetëm nuk u lanë më ndërtime por më shumë akoma, edhe ato pak që u ndërtuan do ishin nën vëzhgim e rreptë. Kurse, strukturat e komunaleve mbollën në rrëpirën qe kodrës që zbret në det, shumë pisha bregdetare.
Katrahura
Kuptohet se nuk zgjati shumë. Njerëzit që erdhën pas ’90 i përsëritën aksionet, por këtë rast me mbjellje. Brenda pak vitesh, kodrat e Currilave u zhveshën krejt, për të na lënë sot, një kodër të shëmtuar me rropullitë, që po i shkojnë deri në fund. Në fillim u ankuan. Por, ndërtimet pa leje nuk donin t’ia dinin. Pushto. Vetëm pushto. U duk se pati një shpresë të vogël, kur bashkia akordoi muajt e fundit një fond prej 38.7 milion Lekësh për mbjelljen e bimëve dekorative nga Spitalla në Porto Romano. Edhe pse në situatë të vështirë ne do të vazhdojmë mbjelljen, tha atëherë kryebashkiaku. Kjo punë lidhej me atë pjesë të buxhetit që çdo bashki ia ka detyrim mjedisit. Ky fond vjen nga buxheti i shteti dhe duhet të realizohet në masën 10% nga çdo bashki për mjedisin. Pemët vërtetë janë mbjellë aty, por jo në shpatet që po rrëzojnë për ditë e më shumë dhe po e ulin kuotën e kodrës. Për këtë s’ka përgjigje bashkiaku. Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në Durrës as nuk e ka parë të arsyeshme të vendosë një fajtor për këtë dëm të madh që po bëhet. Edhe me sy kuptohet që nëse do të vendoseshin një sasi pemësh, atëherë situata do të mos ishte kaq katastrofale. Eh sikur!
Rrotullohemi në kodër, por ajo që të shkon në mënd është një dhe vetëm një gjë: Si kanë guxuar këta njerëz të sfidojnë ligjin, të sfidojnë sigurinë, e më shumë akoma të mos pyesin për jetën e tyre? “Kush do t’ia dijë sot, bir. Kam 54 vjet në Durrës, por këta që erdhën pas ’90 ishin të paparë”, ma pret një burrë, kur e pyes sesi shkon puna me të ardhurit. Dhe, Durrësi i bukur sot, të kujton frikën e kodrës në Currila që një ditë do t’u bjerë mbi kokë, ashtu si në zonën e plazhit që njerëzit në dimër e kanë të pamundur të jetojnë më në shtëpitë që u përmbyten… E sa më shumë shkon koha, aq më e madhe është kostoja, që duhet për rregullimin në këtë mishmash ndërtimesh. “Pasi këta që kanë ardhur, s’duan t’ia dinë as që të ndërhyhet në kanalizime, as të bëjnë mbjellje pemësh, as të kontribuojnë në tarracime, sistemimet e ujërave të bardha e të zeza”. Dhe, pastaj e kuptoj se çfarë ndodh: për shkak të tejngopjes së papritur me ujë, masat e tokave përmbyten pa dhënë as edhe një lloj shenje. Situata bëhet më e keqe sepse në rrëpirën sipër, banorët hedhin mbeturinat, derdhin ujërat e kështu me radhë, pa u tutur nga askush. Më të “zgjuarit” kanë ndërtuar pak mure forcimi me gurë dhe të tjera që mbahen me gardhe, por që të gjitha se kanë bllokuar asfare rrezikun. Natyra ua ka kthyer, teksa në shumë prej banesave, që qarkojnë kodrën, nuk mbarojnë problemet e krisjeve dhe çarjeve në banesë. Pas pak minutash muhabet, e pyes më thjesht një vendali. Po kaq vështirë është të mos teprohet me ndërtime. Pse ndodhi e gjitha kjo?
“Ah, këto nuk ndodhnin njëherë e një kohë. Punonim të gjithë dhe kish afatin e caktuar që mbillnim, kurse tani s’ndodh asfare kështu. S’ka qenë aq e keqe ajo kohë”, më thotë burri, që na prezantohet se është me origjinë çame.
Currilat
Habia është se tashmë e gjithë Kodër Vila dhe deri në rrëpirën në det, është e rrezikuar. Burri na thotë të kemi kujdes sepse aty pas Vilës, rruga s’është aq e mirë…Zona e Currilave, dikur ishte vendi ku durrsakët gjenin prehjen e tyre. Teksa bregdeti i tyre pushtohej nga tiranasit dhe të ardhurit e shumtë, për ata ishte vendi i qejfit dhe prehjes larg syve të tjerëve. Bukuria zgjati deri në vitet ’90 kur e mësynë dhe ndërtuan pa asnjë lloj plani dhe bregdeti nga vendi i quajtur Bërryli deri në fund do pushtohej për lloj-lloj ndërtimesh. E s’mjaftojnë rrëshqitjet. Mungon kudo dora e bashkisë për të hequr papastërtitë dhe askush nuk i sheh kinse inertet që derdhen lirisht. Zallamahisë i bashkohen edhe ujërat e zeza apo zhvillimi pa kriter i zonës, pasi që nga ‘90, ajo nis me shpejtësi popullimin. Familje të ardhura nga të gjithë cepat e vendit duke tërhequr njëra-tjetrën e kanë bërë këtë vend krejt pa sens dhe normalisht kjo zonë mund të llogaritet se nuk është më atraktive.
…
Burri i vjetër po ngjitet. I lagur qull dhe me torbën mbushur me shkarpa. Ka qenë nxënës i Petro Markos dhe me atë lidhet kujtimi i bukur, që ruan nga koha e shkuar. Mu atëherë, kur këta njerëz nuk ndërtonin të babëzitur, që t’i zenin edhe dritën e agut njëri-tjetrit. U lodhe? “Jo, sa kam fuqi të eci, jam mirë. Atje ku do shkojmë, kam kohë të s’lodhem”, ma pret. Je bash vendali? “Kur quhej Kodër Vilë, po, tani jam nga askundi”, ma pret filozofikisht në muhabet e sipër.
http://revistajava.al/kryesore-reportazh/201348/kodra-qe-po-i-ha-currilat





