Temperaturat optimale dhe koha e qëndrueshme që ka përfshirë vendin tonë ditët e fundit, kanë bërë që këtë fundjavë bregdeti i Durrësit të mbushej plot e përplot me vizitorë të ndryshëm.

Vija bregdetare që nis nga Ura e Dajlanit dhe përfundon në afërsi të pistës “Iliria” është kthyer në shëtitore gjigante. Qytetarë durrsakë, nga kryeqyteti dhe rrethe të tjera të Shqipërisë, por edhe nga Kosova e Maqedonia, kanë zgjedhur ta kalojnë fundjavën në bregdetin e Durrësit.

Vija bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në afërsi të sektorit “Iliria” u kthye këtë të diel në një pedonale, ku qindra qytetarë kryenin aktivitete të ndryshme, pushonin, shëtisnin, ushqeheshin, por kishte edhe nga ata që pavarësisht se nuk është stina e duhur, kanë shfrytëzuar kohën e mirë për të bërë plazh.

Pas disa ditësh në bregdetin e Durrësit do të nisë puna për pastrimin e plazhit. Kreu i Ndërmarrjes së Plazhit, që menaxhon vijën bregdetare, premtoi infrastrukturë bashkëkohore për sezonin e ri turistik veror.

K.H.