Nga BUJAR QESJA

Më duket se Zoti, m’i ka normuar ditët e punës. Kjo është vetë jeta. Frymëmarja pa punë më duket si asfiksi, e në të kundërtën më kujton oksigjenin e fuqishëm të Voskopojës. Nxitoj të bëj më të mirën. Gjithnjë në punën time, kam parasysh këtë filozofi:

“Nëse nuk jam ai që dua të jem, ai që dua jo si dëshirë ose si projekt, por me gjithë zemër, me gjithë forcat e mia, në gjithë veprimet e mia, atëhere unë nuk jam. Në thelbin e qënies time, ka një vullnet dhe një dashuri për të qenë, ose ndryshe nuk ka asgjë”.

Dua të nxitoj. Të shkruaj me sa mundem, për njerëzit, për Durrësin, për… Për të tanishmen, por sidomos edhe për të djeshmen. Absolutisht që e kam mëndjen tek sistemet, tek politika, tek paragjykimet. Parë kështu, nuk do të mund të bëja xhap. Duke u nisur që : njerëzit bëjnë kohën dhe ajo i shënon ato ashtu siç janë, mbetem gjithnjë në kompromis historik.

Në pamje janë shtatë njerëz shumë të njohur, të njërës prej ekonomive më të fuqishme shqiptare të para viteve 90-të. Bëhet fjalë për Ndërmarrjen Bujqësore të Sukthit (NB Sukth). Që të shtatë i kam njohur. Jam ulur sipas rasteve me to. Kemi pirë një kafe, e kemi ndarë cigare. Njerëz të thjeshtë. Specialistë të afirmuar. Punëtorë të jashtëzakonshëm. Organizatorë ku drejtonin, por edhe punonin. Partia e Punës udhëhiqte. E ç’rëndësi ka kjo, kur gazetari i Durrësit, në këtë 4 janar 2023, kërkon t’i kujtojë duke përjetuar të gjallët e tyre.

Nuk e dija, se e kisha këtë flori pamje. Si gishtat e një dore më duken, që bënë atë lidhje të paharruar të një pune të jashtëzakonshme, ku e mbuluan trupin e tyre me djersën që vinte era tokë. Dhe në mes qendron ai, i mrekullueshmi, mahnitësi për nga thjeshtësia, burrëria, dashuria për njerëzit, sakrifikuesi dhe më i gjindëshmi për ta Babë Sulë Gallaj.

Në mos gaboj, e pranoj korigjimin këtu, është me frymëmarrje vetëm Mustafa Ismaili. E megjithatë të gjithë më duken se janë të gjallë si atëhere kur është fiksuar kjo pamje. Është e mbushur me shumë mall, me shumë mbresa, me kujtime që të çajnë kraharorin.

Isha i goditur nga sistemi që shkova në NB Sukth. Tentonin të ma thyenin lapsin dhe të ma vendosnin në kafaz mendimin. Me biçikletën e babait që ma kishte falur, e bëja rrugën prej 13 kilometrash Durrës –Sukth, dy herë në ditë. Pedaloja afro 50 kilometra. Por nuk e ndjeva goditjen, sepse isha me fat që u takova me këta të mëdhenj të bujqësisë.

Mësova prej tyre kulturë, artin e komunikimit, thjeshtësinë dhe përkushtimin, të punuarit dhe të mësuarit. Nuk e di sa kam mundur, por tentova t’u ngjaj atyre. Në NB Sukth kam takuar, oh çfar kam takuar! Bashkim Tagën, të vëllain e tij Aleksandrin. U kam dhënë dorën shumë të njohurve, që i lidha miqësitë pikërisht në tokën e bekuar të NB Sukthit, të kësaj fillese të ekonomive bujqësore të Shqipërisë të pas luftës.

Kam takuar në këtë NB Sukthin e jetës time në vitet 1978-1980, agronom Shaban Mahon, mekanikun Ismail Kllarin dhe lulishtarin e famshëm Shaban Kllarin, inxhnjerin mekanik, djalin e Cen Bulkut Qazim Bulkun, Bilal Keçin, energjikun Ramazan Shkodra, miqtë e kulturës Hysen Kabili dhe Naun Gogo, traktoristin Guxim Tare, veteranin Dhori Gogo, pjestarë të familjes Baballëku, shkrimtarin ushtarak Pandeli Sako, lexuesin fantatik të librave Muhamet Binerin e shumë, e shumë të tjerë.

Dhe kjo shtatëshe e kësaj foto të rrallë, plot lëng dhe ngarkesë emocionale, më luan nga vëndi dhe përligj gjithçka të mirë, të arrirë të kësaj NB-te të njohur të Sukthit.

Janë në këtë foto Rexhep Berisha, që drejtoj më pas kësaj kooperativën bujqësore të Rroshbullit, zootekniku Bajram Sukaj, drejtori historik Sul Gallaj, agronomi dhe përgjegjësi i sektorit të serrave në Rreth Mustafa Ismaili dhe shërbëtorët e njerëzve Jetgjat Toda, që mbaroi për jurisprudencë në Sofje të Bullgarisë, Ahmet Ademi përgjegjës i sektorit të perimores dhe i urti Bajram Hoxha.

Nuk doja, siç nuk kam dashur në shumë e shumë raste të tjera analoge, që kjo foto të më “digjej” pa koment, ndryshe s’do të kishte kuptim publikimi i saj. Historia e secilit nga ne, për analogji, e secilit prej këtyre të shtatëve, është me ngjitje dhe zbritje si shkallët e apartamentit. Kemi vrapuar, jemi rrëzuar, jemi vrarë paksa dhe sërish jemi ngritur.

Dikush është dëmtuar më shumë, e dikush më pak. Jemi pjesë e historive të përbashkëta në ato, që na kanë drejtuar dhe brenda kësaj secili ka ndërtuar historinë e tij, ka bërë rrugëtimin e tij. Këtu nuk na falet, që të ndërhyjmë dhe ta ndërtojmë jetën e tyre sipas gjykimit tonë me dritë dhe hije. Gjykimi dhe mendimi për secilin në raporte subjektive, le të mbetet brenda nesh.

Ajo që më duhet dhe e përplasa kokën mbi tastjerë, është që këtë foto ta publikoja dhe të shkruaja diçka për këta shtatë njerëz. Jam i sigurtë në të gjallë dhe ndonjë që jeton, bënë më të mirën dhe më të pranueshmen.

Jam me fat që e kam këtë foto. Mendoj se edhe ju jeni me fat, që e keni tashmë pronë tuajën këtë pamje, që unë e gjykoj të rrallë. Është histori njerëzore. Është historia e shtatë njerëzve, që kërkuan nder dhe sakrifica. Nuk e di, nëse iu është hëngër haku për këtë. Unë bëra timen. U dhashë hakun, që mendoj se e meritojnë.

Bujar Qesja
Durrës: 4 janar 2023

Në foto, nga e majta: Rexhep Berisha, Bajram Sukaj, Bajram Hoxha, Sul Gallaj, Jetgjat Toda, Ahmet Ademi dhe Mustafa Ismaili.
Foto e vitit 1968