Meta: Kemi vendosur që Doktori të mos jetë Kryeministër
TIRANE, 21 maj 2013– Deklarata e bërë nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, nga Berati se Ilir Meta është Kryeministri më i mirë i së majtës ishte dje kryefjala politike e ditës. Në një kohë kur dy liderët e partive kryesore të së majtës, Edi Rama nga PS dhe Ilir Meta nga LSI e përcollën këtë deklaratë pa shumë komente dhe si një diversion të Berishës, në një prononcim për “Shqip”, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka, u shpreh se qëndrimi për Metën Kryeministër i deputetit të Beratit, Naço, ishte personal, pasi PS-ja ishte partia më e madhe e koalicionit opozitar dhe normalisht kishte të gjithë legjitimitetin për të pasur Kryeministrin e ardhshëm të vendit.
Koka
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka, theksoi për “Shqip”, se marrëveshja mes këtyre forcave politike të firmosur në Shkodër nuk flet për Ilir Metën Kryeministër të Shqipërisë, por vetëm për një bashkëpunim transparent sipas peshës së çdo force politike.
“Unë mendoj se deklarata për Ilir Metën Kryeministër është një qëndrim personal i z. Naço. Marrëveshja e lidhur në Shkodër mes dy forcave politike nuk flet për një gjë të tillë. Nuk mund të harrojmë që PS është forca më e madhe e koalicionit dhe se për pasojë ka aty peshën më të rëndësishme. Marrëdhëniet mes këtyre forcave politike rregullohen nga marrëveshja e lidhur dhe kjo është e qartë për të gjithë”, theksoi Koka për ‘Shqip’.
Rama-Meta
Edi Rama iu përgjigj dje me qetësi interesimit të gazetarëve për sa u përket deklaratave të Naços për Metën Kryeministër të bëra nga Berati. Ai theksoi se këto deklarata ishin përdorur nga Berisha për diversion politik, por ishin pa rezultat.
“Të jeni të sigurt se asnjë lloj diversioni mbi fjalime apo fjali të thëna në fushatë elektorale nuk funksionon. Aleanca për Shqipërinë Europiane është kompakte. PS është forca udhëheqëse e kësaj aleance, në sintoni me LSI si pjesa tjetër e boshtit strategjik. Mos kini as merakun më të vogël se kush do jetë Kryeministri pas fitores, është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për t’u zgjidhur bazuar mbi atë që thotë Kushtetuta dhe vullneti i popullit. Saliu po peshkon në tokë të thatë”, deklaroi Rama.
Po kështu dhe Meta i ktheu përgjigje kësaj pyetjeje, duke ironizuar Berishën.
“Objektivi kryesor i LSI është fitorja e Aleancës për Shqipërinë Europiane më 23 qershor dhe arritja e një rezultati historik, pasi i tillë do jetë. Lidhur me deklarata të caktuara, ato nuk na shmangin nga objektivat kryesore që ne kemi. Koalicioni është në sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të rritjes së bashkëpunimit që thellon fitoren.
Ne kemi rënë plotësisht dakord që Doktori të mos jetë më Kryeministër”, theksoi ai.
Për më tepër ndiqni linkun





