Kur na ndajnë 6 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, Lefter Koka ka vijuar me takimet përmbyllëse në Durrës.
Teksa është ndalur në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar, Koka ka ftuar qytetarët që të jenë objektiv ditën e votimeve, për të bërë një bilanc për punët e bëra nga qeveria aktuale dhe përfaqësuesit opozitarë kur ishin në pushtet.
“Nëse analizojmë punët e bëra nga qeveria socialiste, e them me bindje se shumë sektorë kanë pësuar reformë pozitive, si ai i shëndetësisë; sektori i bujqësisë, një ndër më të rëndësishmit e ekonomisë së vendit si dhe sektorë të tjerë që janë formalizuar dhe janë ngritur sisteme.”
Duke komentuar procesin e vaksinimit, Koka u shpreh se: “Ne po shohim që janë mbi 300 mijë qytetarë të vaksinuar deri më tani, por ajo që është thënë shpesh dhe nga vetë kryeministri apo të tjerë politikanë, është që ky proces nuk është parë apo aplikuar mbi bazën e pikëpamjeve politike, që të vaksinoheshin të majtë apo të djathtë. Këtu është parë fasha sipas moshave për t’u vaksinuar, ata që janë në frontin e parë të punës, si mjekët, infermierët. Ndërkohë që ka nisur vaksinimi i operatorëve turistikë, pra shpresa po kthehet tek të gjithë qytetarët dhe Durrësit po i rikthehet normaliteti, po i rikthehet turizmi që është një aset i rëndësishëm për ekonominë e Durrësit”.
Ndërkohë, Koordinatori, Arbi Shtylla ka ftuar qytetarët që të votojnë PS dhe kandidatin Lefter Koka si deputet, pasi ka dëshmuar se mban marrëdhënin me qytetarin dhe qytetarët e tij.
“Zoti Koka është shembulli më i mirë i politikanit që në 20 vite karrierë politike, as nuk e ka ndërruar ndonjëherë qytetin apo zonën ku ka kandiduar dhe ka qenë nga politikanët që ka bërë më shumë, si për qytetin ashtu dhe për rininë durrsake dhe atë shqiptare”, u shpreh Shtylla.