Në takimin e zhvilluar me ish-të përndjekurit politikë dhe familjarët e tyre, deputeti socialist, Lefter Koka ka treguar mes të tjerave edhe lidhjen e tij familjare me këtë kategori, por që sipas tij, identifikimi i forcave politike me terminologjinë e komunizmit, duhet të zhduket nga kujtesa e shqiptarëve. 

“Unë vetë vij nga një histori familjare me lidhje të ngushtë me ish të përndjekurit politikë, që është pjesë e ndjeshmërisë sime individuale ndaj jush dhe ka të bëjë me fëmijërinë, me adoleshencën time. Në mënyrë të padiskutueshme ka atë dramën e vet familjare dhe sot që të gjithë së bashku, mendojmë që ky vend, të jetë një vend me demokraci të vërtetë, ku të jem i sinqertë, ashtu si dhe ju, edhe unë mendoj që në këto 30 vite, jo të gjitha gjërat kanë shkuar ashtu si duhet. Sot si kandidat i Partisë Socialiste, pavarësisht se shpesh është anatemuar se po të jesh përkrahës, apo po të jesh ish i persekutuar, duhet të adereosh në PD, unë mendoj që çdo forcë politike ka formacionet e saj, por sesi e implementojnë demokracinë, është një gjë krejt tjetër.”, ka deklaruar Koka.

Duke kërkuar mbështetjen e kësaj kategorie në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Koka ka pohuar se nuk është më në pozicionin për të kërkuar përkrahje për atë se çfarë do të bëjë në të ardhmen, por për të flet puna dhe kontributi përgjatë gjithë karrierës së tij politike. 

“Jam këtu me ju, jo vetëm për të qenë nesër një deputet i parlamentit shqiptar, me ekipin ku unë aderoj sot, Partinë Socialiste të Shqipërisë, por edhe për të përfaqësuar zërin e të gjithë qytetarëve durrsakë. Ndryshe nga zgjedhjet paraardhëse, këtë herë brenda forcës politke votohet edhe kandidati, edhe subjekti. Kjo është një sfidë për mua, ku në fund, duhet të bëj një bilanc me veten, sepse unë nuk votohem për atë çka do bëj, por për atë çka kam bërë në këto vite në aktivitetin tim politik.”