DURRES, 9 qershor 2013 – Në vijim të takimeve elektorale, kanidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë ndalur në Komunën e Rrashbullit, ku kanë bashkëbiseduar nga afër me banorët e zonës së Shkallnuarit.

Sipas zëdhënëses së LSI-së, deputeti Lefter Koka, i shoqëruar nga kandidati tjetër Edmond Panariti dhe kandidatët e tjerë të LSI-së në qarkun e Durrësit, janë njohur nga afër mbi problematikat dhe shqetësimet e banorëve të këtyre zonave.

Lefter Koka, i pari në listën për deputet të LSI-së në Durrës, ka pohuar se pas 23 qershorit do të vijë ndryshimi i madh për të gjithë shqiptarët.

“Është e pafalshme që situata infrastrukturore në zonën tuaj është në këtë gjendje kaq të vështirë, ndërsa ju me mundin dhe punën tuaj keni ndërtuar banesat tuaja, ndërsa shteti nuk ka investuar në përmirësimin e rrugëve të kësaj zone. Nuk duhet ta toleroni më këtë situatë, është mundësia që me votën tuaj të bëni ndryshimin e madh”.  

Banorët kanë shprehur pakënaqësitë nga qeverisja e të djathtës, duke pohuar se ka ardhur koha për të larguar me votën e tyre PD-në nga pushteti, nëse ajo nuk preket nga partia në pushtet.

Më pas Panariti, kandidati i dytë nën siglën e LSI-së ka pohuar se LSI ka një program të rëndësishëm mbi zhvillimin e bujqësisë, si një mundësi për daljen e vendit nga kriza dhe përmirësimin ekonomik.