Në vijim të turit të tij elektoral, kandidati socialist, Lefter Koka është ndalur në lagjen 13 të Durrësit, e njohur si zona e plazhit.
Teksa ka ndarë me banorët planin e veprimit të Partisë Socialiste për zhvillimin turistik të Durrësit, deputeti Koka ka komentuar dhe kundërshtarët e tij në këto zgjedhje parlamentare, duke pohuar se nuk kanë bërë aleancë me qyetarët, por marrëveshje mes kryetarësh, të cilët duan të vijnë në pushtet pa asnjë plan zhvillimor për vendin.
“Janë shumë gjëra të bëra në këto vite dhe në mënyrë të padiskutueshme unë e kuptoj që nuk mund të marrin dot vlerësimin e opozitës këto punë të bëra, sepse një opozitë është aty pikërisht për të evidentuar punët e bëra keq nga një qeverisje dhe për ta nxitur atë për të bërë më të mirën. Por kjo bëhet duke ofruar alternativë dhe ne tashmë, shohim një koalicion të gjerë që është më shumë një marrëveshje kryetarësh, sesa një aleancë qytetarësh. Do të thotë se sot Aleanca e Partisë Demokratike në vetvete nuk paraqet asgjë, nuk jep asnjë siguri për udhëheqjen e vendit nesër, aq më shumë që ndodhemi përballë shumë sfidave të rëndësishme”, u shpreh Koka.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe Natasha Paço, e cila ka vlerësuar figurën e deputetit Koka, si një kandidat që në çdo pozicion politik që ka qenë, ka përfaqësuar më së miri qytetarët durrsakë.