DURRES, 5 qershor 2013 – Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, aktualisht kryesuesi i listës së kandidatëve në qarkun e Durrësit, Lefer Koka, ironizoi dje me sondazhin e brendshëm të Partisë Socialiste, duke thënë se ai mund të jetë bërë nga kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi.
Koka tha dje se sondazhi i brendshëm i PS-së që nxjerr pa asnjë mandat LSI-në në Tiranë, nuk është real dhe larg pritshmërive të kësaj force në kryeqytet, listë që kryesohet nga Ilir Meta.
“Besoj se sondazhin do e ketë bërë Skënder Gjinushi. Me gjithë respektin, por mendoj që është një fantazmë e vjetër, shumë larg asaj që në presim në qarkun e Tiranës dhe në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht ne pretendojmë për shumë mandatë në Qarkun e Tiranës.”, u shpreh dje Koka.
Më tej, kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se mund të jetë dëshira e ndonjë force politike që LSI të mos marrë asnjë mandat, por sipas tij më 23 qershor realiteti do të jetë krejt ndryshe. Lefter Koka e ka quajtur sondazhin e brendshëm të Partisë Socialiste si dëshirë të një force politike, por aspak një statistikë të besueshme.
“Mund të jetë dëshira e ndokujt që ne të mos kemi asnjë mandat, por realiteti do të jetë ndryshe. Pra, ai nuk është sondazh, ai mund të jetë dëshirë e ndokujt”, theksoi dje kandidati për deputet i LSI-së në Durrës.





