Me rastin e 1 qershorit,  festën e fëmijëve, Lefter Koka, njëherazi kandidati kryesues në Qarkun e Durrësit për LSI-së, ka zgjedhur të jetë pranë fëmijëve jetimë. Nën ritimin e muzikës, lodrave shymëngjyrëshe dhe argëtimit fëminor, Koka, ka kaluar momente gazmore me fëmijët e Shoqatës së jetimëve në qarkun e Durrësit.

Koka ka sjellë në vëmendje  një moment trishtues të njërit prej fëmijëve të Gjovalin Kadelit, Admirit, i cili kishte rrëfyer takimin me Papën gjatë kohës që i ati dërgjej i sëmurë në Itali, ndërsa vite më parë kishte humbur dhe nënën e tij. “E keqja nuk ka fund, por forca për ta përballuar është ajo që ju nevojitet.  Ju bëhuni të fortë për të përballuar vështirësitë me të cilën jeta ju ka përballur”,ka thënë Koka.

Mesazhi i këtij aktiviteti ishte për të rikthyer traditën e dikurshme, që çifte durrske shkonin pranë shtëpisë së Fëmijës për të marrë fëmijë në shtëpitë e tyre, për raste festash, për t’u lehtësuar sadopak boshllëkun e mungesës së prindit për fëmijët. Pjesë e aktivitetit ishin rreth 150 fëmijë, ndërsa pranë shoqatës së jetimëve në Durrës janë të regjistruar rreth 1600 fëmijë nga 0 deri në 16 vjeç.