Fatos Nano është presidenti konsensual dhe unë do të votoj për të në Parlament. Këtë deklaratë ka bërë për gazetën “Dyrrah” deputeti i LSI-së, ish kryebashkiaku Lefter Koka. Duke vlerësuar kontributin e madh të dhënë nga Fatos Nano për akordimin e financimeve të rëndësishme për qytetin bregdetar Koka deklaron se vota e tij personale do të shkojë për ish-kreun socialist. Ndërsa deklaron se grupi parlamentar i LSI-së nuk ka diskutuar ende për kandidaturat që do të jenë në garë për postin e kreut të shtetit Koka thekson se LSI është në koalicion të gjerë me PD-në.

Zoti Koka, ish kryeministri Fatos Nano, ka shpallur ambicien e tij për kreun e shtetit shqiptar. Si e shikoni kandidaturën e tij?

Në fakt nëse do të mbahej një referendum popullor për zgjedhjen e Presidentit jam i bindur që Nano do të fitonte, jo sepse është ish-kryeministri i vendit, por sepse është mjaft popullor. Në këtë pikë mund të them se kjo është kandidatura konsensuale që kërkon sot politika shqiptare për President. Theksoj se ai është pikërisht personaliteti tek i cili mund të kenë besim të gjitha forcat politike. Nano, pas humbjes së partisë së tij në 2005 dha dorëheqjen nga partia.

Ju jeni deputet i LSI-së. Do ta mbështesni kandidaturën e Nanos edhe me votë në Parlament?

Unë personalisht do ta votoj Fatos Nanon për president të vendit. Deri tani si forcë politike nuk kemi diskutuar asnjë prej kandidaturave, por ky është qëndrimi im personal. Nano ka dhënë një kontribut shumë të madh jo vetëm në selinë rozë, por edhe për reformat që ka ndërmarrë pas vitit 1997, kur Partia Socialiste u ngjit në pushtet.

A ka diskutuar LSI-ja deri tani për kandidaturat dhe çfarë vendimesh janë marrë për zgjedhjen e Presidentit?

Në grupin e LSI-së, nuk është diskutuar deri tani, por ne jemi në koalicion të gjerë me Partinë Demokratike. Nuk e di si do të veprojmë për përzgjedhjen e kandidaturave, por qëndrimi im “pro” kësaj kandidature për kreun e shtetit rrjedh nga kontributi që Nano ka dhënë për qytetin e Durrësit. Në vitet 2003 -2006, kohë kur unë drejtoja bashkinë e Durrësit, Nano ishte kryeministër dhe ndihma që ka dhënë për investimet e fuqishme që u bënë në ato vite në qytetin tonë ishin dhe mbeten të pazëvendësueshme, kjo edhe për faktin se pas këtyre viteve investimet që kryhen në Durrës, janë me pikatore.