Nga Gjykata e Apelit ku do të zhvillohej sot seanca e radhës, ka reaguar Arbër Çekaj për arrestimin e të atit një ditë më parë, Selimit, pasi në konteinerin e firmës së tij u kapën 49 kg kokainë në portin e Durrësit.
Çekaj tha se babai i tij është një profesor i nderuar, ndërsa ka hedhur akuza se ndaj tij dhe familjes së tij po vepron një klan i caktuar që kërkon t’i përfshijë ata në trafik droge.
“Po na trajtoni si kulakë. Po masakrohet gjithë familja ime. Babai im është 72 vjeç, profesor i nderuar. Arrestuat babanë e kulakut! Edhe brenda familjes nuk po na trajtojnë njëlloj. Mua ma çuan kontejnerin në magazinë në Maminas, ndërsa babait ia hapën në port. Kjo tregon që është një klan i caktuar që kërkoj të përfshijë familjen tonë në trafik”, është shprehur Arbër Çekaj.
Seanca ndaj tij është shtyrë për një tjetër ditë. Ndërkohë avokati i tij, Maks Haxhia ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues.





