Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Nazif Ajrofski, 41-vjeçarin nga Struga e Maqedonisë së Veriut, i cili u kap të premten në portin e Durrësit me 324 kg lëndë narkotike kokainë në kamion.
Ndonëse Ajrofski ka mbërritur në gjykatë rreth orës 09:00, seanca është shtyrë për shkak të mungesës së një përkthyesi.
Pas disa orëve vonesë seanca u zhvillua me praninë e përkthyesit dhe gjykatësi Rexhep Bekteshi pasi ka dëgjuar palët, vendosi “arrest me burg” për shoferin maqedonas.
Në sallën e gjyqit Ajrofski është deklaruar i pafajshëm dhe ka thënë se nuk dinte gjë për ngarkesën me drogë.





