Gjykata për Krimet e Rënda la në arrest me burg Donaldo Lushajn dhe Armando Pezakun, dy 25-vjeçarët e arrestuar gjatë operacionit “Last Snow”, ku u sekuestrua sasia rekord prej 613 kilogramësh kokainë e pastër në Durrës.
Prokuroria akuzon Lushajn, si menaxher i kompanisë “Arbri Garden” dhe Armando Pezakun, si shofer i kamionit që transportoi drogën për trafik ndërkombëtar të drogës, të mbetur në tentativë.
Prokuroria kërkoi nga gjykata që seanca të zhvillohet me dyer të mbylluara, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe hetimeve që vijojnë.
Avokati Maksim Haxhiaj që mbron Donaldo Lushajn, mohoi akuzat e ngritura kundër klientit të tij.
“Nuk ka asnjë provë ndaj klientit tim. Klienti im është punëtor i thjeshtë që paguhej 250 mijë lekë. Nuk ka post drejtues në kompani”, tha ai.
Sasia rekord e kokainës u kap në dyshemenë e modifikuar të një kontejneri, me banane të porositura nga kompania “Arbri Garden”. Donaldo Lushaj u prangos si menaxher i kompanisë, ndërsa Armando Pezaku si drejtues i kamionit që transportoi drogën. Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim administratorin e firmës ‘Arbri-Garden’ shpk me qendër në Manzë, Arbër Cekaj.





